Noka: Droga, biznes qeveritar; Tahiri: Provat dërgojini në prokurori

Shqipëria

Noka: Droga, biznes qeveritar; Tahiri: Provat dërgojini në prokurori

Më: 6 maj 2016 Në ora: 16:17

Në cilësinë e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë në Kuvend, Flamur Noka, i ka dorëzuar një letër kryeministri Edi Rama, ku ngre shqetësimin e opozitës për shtimin e sipërfaqeve të mbjella më hashash në vendin tonë.

Në letër, Noka kërkon nisjen menjëherë të monitorimit nga ajri të vendit dhe bërjen publike të të dhënave, por thotë që, nuk ka marrë asnjë përgjigjie nga kryeministri apo Ministria e Brendshme dhe për këtë ai ka vetëm një shpjegim.

“Nuk ka përgjigjie sepse droga është biznes qeveritar. Kanabisi ka pushtuar vendin dhe rrënjët i ka në zyrën e Tahirit dhe Edi Ramës. Ky biznes drejtohet nga Rama dhe Tahiri, të gjitha faktet dhe sipërfaqja e mbjellë e tregon këtë”,- u shpreh Noka.

Deputeti demokrat thotë se opozita ka informacione se është pesëfishuar mbjellja e drogës, madje janë hapur edhe ara të reja.

“Ja pse Shqipëria u rendit prodhuesi i parë i drogës në raportin e Bashkimit Europian dhe dhe Departamentit të Shtetit”,- u shpreh Noka.

Sipas tij, droga mbillet nën hundën e policisë dhe këtu ndau disa qarqe.

“Shkëlqejnë në këtë angazhim drejtuesit e Durrësit, Vlorës dhe Gjirokastrës. Edi Rama nxjerr në ekran ndonjë bimë tek-tuk për të mashtruar shqiptarët, por bandat u japin qeveritarëve 30 përqind parapagim në këmbim të mbjelljes dhe rritjes së drogës”,- shtoi ai.

Një ditë më parë ishte edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha i cili duke iu referuar disa raporteve hodhi akuza të forta në drejtim të policisë, që sipas tij ka lejuar kamiona me pleh organik që të kalojnë drejt Selenicës, ku po mbillet masivisht kanabis.

Basha përmendi me emra konkret si të inkriminuar edhe disa efektivë policie, akuza për të cilat ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u përgjigj këtë të premte.

“Më kanë bërë të ditur që kjo është deklaruar dje nga kryetari i Partisë Demokratike në një emision. Gjithsesi, unë e ftoj të bëhet politikan serioz, t’i lerë fjalët e kota, ta bëjë publike, ta çojë në Prokurori. Ka disponibilitetin tonë të plotë për çdo hetim në raport me akuzat që thotë se ka, përndryshe, me llafe pazari për të mbushur studiot televizive, unë nuk kam kohë të merrem”,- tha Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat