Vlahutin: Projekti i binjakëzimit të KLSH, vlerë e shtuar në rrugën e modernizmit

Shqipëria

Vlahutin: Projekti i binjakëzimit të KLSH, vlerë e shtuar në rrugën e modernizmit

Më: 6 maj 2016 Në ora: 15:37

Bashkimi Europian do të financojë rreth 2.11 milionë euro për forcimin e kapaciteteve të auditit të jashtëm në Shqipëri.

Forcimi i këtyre kapaciteteve do të bëhet duke ndjekur praktikat e Zyrës së Auditit të Polonisë dhe të Kroacisë nëpërmjet projektit të binjakëzimit që këto zyra bënë me KLSH-në.

Kreu i KLSH, Bujar Leskaj është shprehur se projekti do të fokusohet te përmirësimi i kuadrit legjislativ, zhvillimi i metodologjive të auditimit, forcimi i kapacitetit institucional dhe bashkëpunimi me aktorë të tjerë. Kjo do të çojë në përmirësimin e cilësisë së raporteve të auditimit dhe ndjekjes së tyre, duke kontribuar kështu në luftën kundër korrupsionit.

Ambasadorja e BE-së në vendin tonë Romana Vlahutin shprehu vlerësimin për arritjet e derisotme të KLSH, si dhe bindjen se me kontributin e institucioneve të auditimit suprem të Polonisë dhe të Kroacisë, të cilat janë shumë të zhvilluara, projekti i binjakëzimit do të jetë një vlerë e shtuar në rrugën e modernizimit të plotë të institucionit shqiptar.

Ambasadori i Polonisë, Marek Jeziorski, si dhe Sanja Bujas Juraga, ambasadore e Kroacisë vunë theksin në pavarësinë dhe paanshmërinë politike që duhet të ketë Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Objektivi i përgjithshëm i projektit është përmirësimi llogaridhënies në përdorimin e fondeve publike në administratën publike shqiptare. Ky projekti do të zbatohet nga partnerët e binjakëzimit, Zyrat e Kontrollit të Lartë të Polonisë dhe Kroacisë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit i Republikës së Shqipërisë . Sa i përket vlerës së finacimit 5% e 2.11 milione eurove do të bashkëfinancohen nga Shqipëria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat