PD: Sadri Abazi dhe Taulant Balla oligarkë të Edi Ramës

Shqipëria

PD: Sadri Abazi dhe Taulant Balla oligarkë të Edi Ramës

Më: 6 maj 2016 Në ora: 13:20

Partia Demokratike në deklaratë për media përmes sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma kësaj herë ka hedhur akuza mbi deputetin socialistë Sadri Abazin që kap tendera në çdo institucion me kompaninë “alko-impex”, duke drejtuar dhe disa pyetje mbi këtë çështje.

“Dy ditë më parë, ne denoncuam një rast flagrant se si ai mori 780 milionë lekë nga Bashkia Librazhd me ndërmjetësin e tij Taulant Balla, që është komisari i kësaj zone, ndërkohë që të njëjtën pune ofertuesi i dytë do ta bënte me 250 milionë lekë më pak. Korrupsioni i oligarkëve të Ramës ka prishur garën dhe konkurencën, dhe është i pranishëm në çdo zyrë e në çdo formë”, deklaroi ajo.

Por përveç kësaj, PD thotë se oligarkët kanë kapur edhe institucionet e prokurimit.

“Dhe sikur të mos mjaftonte lidhja e ngushtë me kryeministrin, me shefin e përgjithshëm të tenderave, dhe lidhja me komisarët si Taulanti, këta oligarkë janë kujdesur të kapin dhe institucionet e prokurimit. Faktet janë tronditëse dhe tregojnë tentakulat e kësaj hajdutërie, të vjedhjes së parave të shqiptarëve, që janë shtrirë kudo”.

Ajo ka drejtuar disa pyetje mbi këto çështje.

“A është sot një prej drejtuesve të kompanisë së Sadriut, funksionar i lartë i KPP, komisionit të prokurimeve publike? A ka lidhje përfaqësuesi ligjor i kompanisë së Sadriut, me një funksionare të lartë të KPP?”

Sipas saj, Komisioni i Prokurimeve Publike, është zyra kryesore ku shqyrtohen ankesat që kanë subjektet kur shohin shkelje apo padrejtësi.

"Nga njëra anë, Sadriu kap çdo tender kudo ku futet, nga ana tjetër i mbyll gojën kujtdo që mund të ankohet pasi ka kapur edhe KPP-në. Ky pra është korrupsioni i Edi Ramës. Korrupsion që po shton luksin e oligarkëve dhe klientelës së tij e që po varfëron çdo ditë qytetarët e vendit. Kjo është arseja pse qeveritarët dhe oligarkët majmen çdo ditë, shtojnë pasurinë e tyre, ndërsa çdo ditë e më shumë populli zhytet në papunësi, mjerim e varfëri" përfundoi ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat