Mbledhjet me ambasadorët: Ja negociatat që shtynë takimet

Shqipëria

Mbledhjet me ambasadorët: Ja negociatat që shtynë takimet

Më: 6 maj 2016 Në ora: 09:58

Ambasadori amerikan Lu është takuar për rreth 1 orë me deputetin demokrat Eduart Selami. Po dje ambasadori amerikan ka zhvilluar takime apo ka pasur kontakte edhe me deputetë të tjerë të PD-së. Zyrtarisht, Ambasada bën me dije se po punohet për t’i organizuar takimet me grupet javën e ardhshme.

Dy ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin do të jenë të pranishëm te grupet parlamentare PS, PD e LSI vetëm javës që vjen. Partia Demokratike kishte thirrur dje një mbledhje për çështjen në fjalë, por ajo u anulua për t’u zhvilluar javës tjetër. Nga burime brenda grupit të PD mësohet se një ditë më parë ata ishin lajmeruar me anë të një sms-je për mbledhjen e nesërme, por ajo është anulluar dhe është shtyrë për të martën. Ndryshimi i “vizitave” të ndërkombëtarëve ka qënë dje temë e negociatave mes ambasadave të SHBA dhe BE me selitë e partive politike. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sqaroi se ambasadorët Lu dhe Vlahutin kanë rënë dakord me tri grupet parlamentare që të takohen me secilin prej grupeve, në radhë sipas numrit të deputetëve, PS, PD dhe LSI. Ambasada bën me dije se po punohet për t’i organizuar takimet javën e ardhshme.

Lu me deputetët e PD

Edhe pse grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk u mblodh, dita e djeshme nuk ishte një ditë pushimi për ambasadorin amerikan lidhur me kontaktet e tij me përfaqësues të Partisë Demokratike. Ambasadori amerikan Lu është takuar për rreth 1 orë me deputetin demokrat Eduart Selami. Edhe pse nuk ka pasur asnjë njoftim rreth takimit në fjalë, zhvillimet politike në vend lënë shumë për interpretime. Partia Demokratike nuk ka mbajtur ende një qëndrim zyrtar nëse do ta miratojë ose jo draftin e ndërkombëtarëve për Reformën në Drejtësi. Qëllimi i takimit të djeshëm mes ambasadorit Lu dhe deputetit Selami besohet të ketë qenë në këtë prizëm politik. Kjo vlen të theksohet shumë sa kohë që dje mësohet se ambasadori amerikan ka zhvilluar takime apo ka pasur kontakte edhe me deputetë të tjerë të PD-së. Reforma në Drejtësi mbetet për ndërkombëtarët thembra e Akilit. Ata kanë nënvizuar gjithashtu se Reforma në Drejtësi është edhe kushti kryesor për integrimin e Shqipërisë në BE. Për të mundësuar një qëndrim unik dhe për të shmangur debatet që mund të dalin rrugës, ambasadorët kërkojnë që mesazhin e tyre t’ua përcjellin edhe vetë partive kryesore ne vend, me qëllim që drafti të marrë dritën jeshile në komision deri në fund të muajit dhe të votohet në Kuvend brenda muajit qershor.

Debati në Kuvend

Përfshirja e ambasadorëve dhe qëndrimi që ata do të mbajnë për Reformën në Drejtësi në secilën prej grupeve parlamentare u bë objekt debati edhe në seancën e djeshme parlamentare. Kryeministri Edi Rama deklaroi dje në Kuvend se nisma e ambasadorëve ndodh vetëm se ata kishin planifikuar një takim vetëm me grupin parlamentar demokrat. “…Ardhja e ambasadorëve për të takuar grupet parlamentare, nuk e di nëse ka ndodhur në vende të tjera, por nëse ndodh në këtë vend, ndodh vetëm për takim me grupin tuaj. Se me grupin e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ata janë të mirëseardhur, por nuk kanë asgjë as për të kërkuar, as për të sqaruar, as për të sheshuar, sepse koalicioni ynë është shprehur shumë qartë: Ka qenë i gatshëm ta votojë paketën e ndryshimeve kushtetuese dje. Ju nuk keni qenë të gatshëm… Sali çoje pak kokën dhe më shih, na thuaj një gjë këtu, këtë Reformën në Drejtësi, Sali do ta bëjmë apo nuk do ta bëjmë, do ta votojmë këtë Reformën në Drejtësi, apo nuk të lë Shullazi?!”, -iu drejtua Rama-Berishës. Por ish-kryeministri në një replikë të mëvonshme me Ramën u shpreh se ishte ky i fundit që kishte anuluar takimin e parashikuar dje. Ky ishte edhe momenti i vetëm që Berisha foli për Reformën në Drejtësi.“…Një pyetje po ia shtroj: Pse e anuloi atë mbledhjen e grupit të tij parlamentar që kishte me ambasadorët? Se si kanë qenë të skeduluara mbledhjet, atë e kam nga burimi zyrtar: E para do bëhej me PS, e dyta me PD, e treta me LSI. Çfarë ju gjeti juve që e shtytë? Ju kapi barku gjë? Të besosh ti se e lë Surreli atë të bëjë reformën, do të besosh se rrethi është katror, do të besosh se në Shqipëri kanë zbritur eskimezë. Pra, përpiqet me një ftesë false…”, -reagoi Berisha. Pas Berishës reagoi edhe deputeti socialist Taulant Balla. “Grupi parlamentar i PS-së, po të duash zoti Sali je i ftuar, e ka mbledhjen të martën dhe nuk kemi bërë asnjë lloj mbledhjesh…”. Në morinë e fjalëve, më i qartë në qëndrimin e tij dje ishte kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Ai konfirmoi se LSI-ja nuk ka asnjë dyshim për draftin e paraqitur nga ndërkombëtarët lidhur me Reformën në Drejtësi. “Për mendimin tim, por besoj edhe për mendimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, apo më saktë, të grupit të saj parlamentar, nga dita e djeshme, Reforma në Drejtësi ka përfunduar. Themi se ka përfunduar, pasi kjo ka qenë ajo që ne kemi pritur. Kemi pritur fjalën përfundimtare të Komisionit të Venecias, që u dha përpara dy muajsh dhe kemi pritur fjalën përfundimtare të ekspertëve të EURALIUS-it dhe të OPDAT-it për disa çështje, që nuk ishin shteruar në mënyrë të plotë nga Komisioni i Venecias apo që përbënin diferenca midis palëve. Kështu që nga dita e djeshme, me dorëzimin e opinioneve përfundimtare edhe të ekspertëve të EURALIUS-it dhe të OPDAT-it, besoj se gjithçka ka përfunduar dhe grupi parlamentar i LSI-së, është bërë gati për ta votuar këtë variant dhe këtë reformë nga dje, jo nga sot, aq më tepër nga e hëna”, -tha Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat