5 Maji, përkujtohen dëshmorët në mbarë vendin

Shqipëria

5 Maji, përkujtohen dëshmorët në mbarë vendin

Më: 5 maj 2016 Në ora: 23:36

Pesë maji, dita kushtuar dëshmorëve të rënë për atdheun, u kujtua në mbarë vendin nga krerët politikë, deputetë, ministra e veteranë. Të pranishëm në ceremoninë e Varrezave të Dëshmorëve ishin, zv/kryeministri Niko Peleshi, kryeparlametari Ilir Meta, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe deputetë.

Duke folur për mediat, Meta tha se, 5 Maji është dita e mirënjohjes së përjetshme të shqiptarëve ndaj dëshmorëve dhe heronjve të LANÇ, që dhanë jetën për çlirimin e vendit.

Por sigurisht nuk mund të mungonin nostalgjikët e komunizmit në homazhe, të cilët me foto të Enver Hoxhës, dhe pankarta “Rroftë Partia Komuniste” premtuan se do t’i qëndrojnë besnikë idealeve të lirisë. Nga ana tjetër, kreu i opozitës Lulzim Basha së bashku me ish-kryeministrin Sali Berisha, përuruan memorialin e ri të heroit të demokracisë Azem Hajdari, i vendosur vetëm pak metra larg atij ekzistues, pranë ish-selisë së PD-së, ku ai u vra në vitin 1998.

Dita e nderimit për të rënët në Durrës u kujtua në Mauzoleumin e Dëshmorëve, ku u organizua një ceremoni përkujtimore. Në të morën pjesë prefekti i qarkut të Durrësit, deputetë, drejtues të bashkisë, veteranë dhe qytetarë. Në respekt të veprës heroike të dëshmorëve u vendosën kurora me lule në vendin ku ndodhen pllakat përkujtimore.

Në Fier zhvilluan homazhe përfaqësues vendorë dhe deputetë të zonës, mes të cilëve dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili shprehu keqardhje për mungesën e opozitës. Ai përfitoi për t’i bërë thirrje opozitës për reformën në drejtësi.

Në Vlorë, ceremonia nisi në orën 10 në varrezat e dëshmorëve, ku morën pjesë përfaqësues të pushtetit qendror dhe lokal. Edhe këtë përvjetor, si edhe në vitet e shkuara nuk munguan nostalgjikët e periudhës së komunizmit, të cilët mbanin në duar fotografitë e Enver Hoxhës.

Ndërkohë, 5 Maji u shoqërua me incidente në qytetin e Beratit mes policisë bashkiake dhe komunistëve të cilët nuk janë lejuar të vendosin lule në varrezat ku kryheshin homazhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat