“Qytetar Nderi” për presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë

Shqipëria

“Qytetar Nderi” për presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë

Më: 5 maj 2016 Në ora: 21:06

Bashkia e Elbasanit i ka dhënë sot titullin “Qytetar Nderi” z. Kristof Kviatovski, president i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, në një ceremonia të zhvilluar në teatrin “Skampa”.

Z. Kviatovski u nderua nga Këshilli Bashkiak i qytetit për kontributin e shquar në rritjen e kapaciteteve profesionale të audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe administratës publike në përgjithësi.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, ai u shpreh i vlerësuar për këtë vendim të Këshillit Bashkiak. Kviatovski tha se, përveç kryebashkiakut Qazim Sejdini, i cili është mik i tij, tashmë miq të tij janë edhe të gjithë qytetarët e Elbasanit.

Më herët, Sejdini pati një takim miqësor me z. Kviatovski. Në prani edhe të kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, u zhvillua një bisedë njohjeje rreth Bashkisë së Elbasanit. Kryebashkiaku u tregoi të pranishmëve për historinë e pasur të Elbasanit dhe vlerave të këtij qyteti, pa harruar edhe burimet e mëdha turistike që bashkia e madhe ofron.

Z. Sejdini përmendi gjithashtu edhe mënyrën e funksionimit të Bashkisë së Elbasanit dhe bashkëpunimin me Këshillin Bashkiak, duke u ndalur te “Buxhetimi me Pjesëmarrje”. Kryebashkiaku i shpjegoi zyrtarit polak se buxhetin e Elbasanit e përcaktojnë qytetarët duke vetëvendosur për problemet e tyre parësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat