Doktori i shkencave, dhurues vullnetar i gjakut prej 15 vitesh

Shqipëria

Doktori i shkencave, dhurues vullnetar i gjakut prej 15 vitesh

Më: 5 maj 2016 Në ora: 15:42

Skerdilajd Faria është mjek me karrierë të suksesshme, doktor i shkencave në anestezi, higjenë, mjekësi preventive dhe dhurues vullnetar i gjakut prej 15 vitesh. Jeta e doktor Skerdilajdit është e ndarë mes Tiranës dhe Romës. Ai është tepër i fokusuar për të ndihmuar të sëmurët që kanë nevojë për gjak. Kur e takon për të biseduar lidhur me nismën që ka ndërmarrë “Edhe unë dua të jetoj!”, të pyet i vendosur nëse mund të dhurosh gjak.

Në sytë e tij shihet dëshira dhe dhembshuria për jetën e atyre fëmijëve që varet nga dhurimi i gjakut. Statistikat që ai tregon janë tronditëse. Nevojat për gjak janë të mëdha, ndërsa dhurimet lënë për të dëshiruar. Çdo vit nevojiten rreth 31 mijë njësi gjaku për të plotësuar nevojat. Nëqoftëse iu referohemi statistikave të vitit të kaluar, 66% janë dhurime familjare, 25% dhurime vullnetare dhe 9% dhurime me pagesë. Krahasuar me vendet fqinje, Maqedoninë, e cila plotëson 100% nevojat për gjak dhe Kosovën, e cila mbulon 65%, jemi ende larg.

“Nëpërmjet një postimi në profilin tim në “Facebook”, ftoj miqtë e mi të dhurojnë gjak. Reagimet ishin tejet pozitive. Kontaktoj me koordinatoren e Kryqit të Kuq Shqiptar dhe vendosim të organizojmë ditën e parë të dhurimit të gjakut për nismën “Edhe unë dua të jetoj!”. Kthehem nga Roma, i vendosur për të përmbushur qëllimin që i kisha vënë vetes”, shprehet ai.

“Dita e parë, 11 janar 2016, rezultoi e suksesshme. Më tej vijuam në datat 8 dhe 9 shkurt e për të mos e ndërprerë në muajt në vazhdim këtë human. Dhe në fakt, po sensibilizohen njerëz nëpërmjet rrjeteve sociale në datat 8 dhe 9 maj, pas mbylljes me sukses të datës 4 maj.” Kureshtarë për karrierën e tij në Romë zbulojmë se, duke qenë i pranishëm në sallën e operacioneve, nuk ishte ndeshur asnjëherë me problemet e mungesës së gjakut. Ndërkohë, në Shqipëri, nevojat për gjak janë shumë të mëdha. “Kemi vazhduar me këtë nismë, duke organizuar 2 ditë në muaj për dhurimin e gjakut, ndërsa këtë muaj do të organizojmë 3 ditë, meqë në 8 maj është dita kundër talasemisë. Ditën e djeshme po ashtu patëm një organizim për dhurimin e gjakut dhe pjesëmarrja ishte e lartë”, tregon më tej doktor Faria, duke u shprehur se, duhet të sensibilizohet e gjithë shoqëria për të siguruar lëngun e jetës.

Doktori tregon se, njerëzit janë afruar shumë dhe pas çdo organizimi më të shumtë janë ata që kanë dëshirë të dhurojnë gjak. Në “Facebook” ekziston një faqe “Dhuro gjak”, e krijuar nga doktor Faria dhe persona të tjerë pjesë të nismës. Nëpërmjet postimeve të ndryshme, ata janë tepër të angazhuar edhe në testimin paraprak të vullnetarëve për dhurimin e gjakut, si dhe bëjnë thirrje që të sensibilizohet shoqëria, duke theksuar se, është një procedurë shumë e thjeshtë që zgjat vetëm 10 minuta. Në Shqipëri ka mungesa të theksuara gjaku dhe mbulohen vetëm 25 % e tyre me dhurime.

Kontributi i tij në plotësimin e nevojave për gjak është i dukshëm. Që nga fillimi i nismës janë bërë rreth 500 dhurime vullnetare, ku janë përjashtuar dhjetra të tjerë. Nismës i janë bashkuar edhe shumë figura publike si Valbona Selimllari, Soni Malaj, Valbona Mema, Besart Kallaku, Sheila Haxhiraj, Aulona Musta, Valer Kolnikaj etj.

Ai thotë se, nisma për dhurimin e gjakut do të vazhdojë. Duket se, këmbëngulja e këtij njeriu për të sensibilizuar sa më shumë njerëz është po aq e madhe sa edhe prania e tij gjatë gjithë ditës, duke lënë mënjanë punët e tij.

Djali që jeton falë dhurimit të gjakut

Rastësisht, gjatë bisedës me doktorin Faria, një telefonatë i jep më shumë kuptim të gjithë nismës. Ishte Bekim Turishta, një djalë i pasionuar pas motorëve. Dëshira dhe pasioni për shpejtësinë për pak sa nuk i kushtuan jetën. Në 1 mars, ai pësoi një aksident teksa udhëtonte në Shkodër dhe vazhdon të jetojë në sajë të dhurimit të gjakut, pasi gjendja e tij ka qenë tepër kritike. Grupi i gjakut A- është grup që gjendet me vështirësi, ndaj ishte shumë e vështirë dhe kritike gjendja e tij, por arriti t’ia dalë mbanë. Bekimi, i përlotur në telefon, nuk gjen fjalë për të falënderuar doktorin Skerdi Faria dhe Kryqin e Kuq, që falë ndihmës së tyre dhe përkushtimit për të gjetur gjakun që i nevojitej, ai sot jeton. “Bëra një aksident dhe nuk mbaj mend asgjë. Kam qenë pa ndjenja dhe kam thyer edhe këmbët. Gjendja ime ka qenë tepër kritike, por arrita të stabilizohesha falë ndihmës së doktor Skerdit dhe Kryqit të Kuq Shqiptar. I jam shumë mirënjohës, sepse falë tyre jetoj”, shprehet Bekim Turishta për gazetën “Shekulli”.
“Bëhuni heronjtë e dikujt...”

Harmela Sinanaj ka dhuruar për herë të parë gjak, edhe pse merr pjesë në fushata sensibilizuese për të disatën herë. Ajo thotë se, ishte skeptike në fillim siç ndodh me të gjithë, por kur pa se dhurimi bëhej me shumë lehtësi, u bind dhe dhuroi gjak me shumë dëshirë. “Nëse merr parasysh atë kënaqësinë dhe lirinë pasi jep gjak, është një ndjesi shumë e mirë. Njerëzit, kur zgjohen në mëngjes kanë një motiv. Motivi që unë zgjodha këtë ditë ishte të shpëtoja një jetë. Ua rekomandoj të gjithëve të përdorin këtë motiv një ditë të tyren dhe të ndihmojnë një njeri në nevojë. Shumë fëmijë kanë nevojë për gjak që të mbijetojnë, fëmijët të sëmurë nga talasemia, por jo vetëm ata, pasi ka shumë njerëz të tjerë që për arsye të ndryshme kanë nevojë për gjak, prandaj do i ftoja të gjithë të bëheshin pjesë e kësaj nisme. Vetëm 10 minuta do ju marrë kohë nga koha juaj. Mund të bëheni heronjtë e dikujt dhe nuk besoj se ka dhuratë më të bukur se kjo”, shprehet Harmela, e cila i bën thirrje të gjithëve që t’i bashkohen nismës “Dhuro gjak”.

8 maji

Në çdo 8 maj, kudo në botë përkujtohet Dita e Luftës kundër Talasemisë, kësaj sëmundjeje të shekullit XX dhe të shekullit XXI, që është përhapur shumë veçanërisht vitet e fundit në rruzullin tokësor. Në këtë ditë bëhen të gjitha përpjekjet për të sensibilizuar sa më shumë njerëz që të dhurojnë gjak të sigurt për personat e prekur nga kjo sëmundje.

Parandalimi

Talasemia është një sëmundje trashëgimtare e transmetuar nga bashkimi i dy individëve mikroçitemik ose mbajtës të talasemisë pa shprehje të sëmundjes. Në kodin gjenetik të tyre gjendet një karakteristikë, që është në gjendje ta transportoje. Pra dy prindër mikroçitemik bëjnë që të lindë një fëmijë talasemik.

Shërimi
Shërimi nga talasemia sot është i mundur nëpërmjet trapiantimit të palcës së shtyllës kurrizore, por është e domosdoshme të gjendet një dhurues i të njëjtit grup me atë të të sëmurit nga talasemia në mënyrë që të evitohet papajtueshmëria. Dhuruesit më të përshtatshëm janë vetëm vëllezërit ose motrat e të sëmurit, por është bërë e mundur të parashikohet trapiantimi i palcës edhe midis personave jo familjarë.

Dhurimi i gjakut

Mbijetesa e talasemikëve është e lidhur me transfuzimin periodik e të vazhdueshëm të gjakut, i cili mund të gjendet vetëm nëpërmjet dhurimit. Një i sëmurë talasemik ka nevojë për rreth 50 dhurime në vit, por dhurimet shpesh nuk mbulojnë nevojën dhe kërkesën për gjak.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat