Nishani kundërshton Ruçin: Asnjë parti nuk mund të kërkojë ngrirjen e Kushtetutës

Shqipëria

Nishani kundërshton Ruçin: Asnjë parti nuk mund të kërkojë ngrirjen e Kushtetutës

Më: 5 maj 2016 Në ora: 13:56

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nuk pranon këshillën e Partisë Socialiste për t’u tërhequr nga procesi i zëvendësimit të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, deri në realizimin e reformës në drejtësi.

Presidenti Nishani ka vendosur që t’i paraqesë së shpejti Kuvendit të Shqipërisë emrat e rinj për poste vakante në këtë gjykatë, teksa thekson se për këtë nismë ai gëzon dhe mbështetjen e LSI-së, që drejtohet nga kryeparlamentari Ilir Meta. Në këtë mënyrë pritet të rikthehen përplasjet “e vjetra” mes Nishanit dhe socialistëve, e cila prej afro 3 vitesh refuzon çdo propozim të Presidentit për plotësimin e vendeve vakante jo vetëm në Gjykatën Kushtetuese, por edhe atë të Lartë.

Reagimi i Nishanit vjen vetëm një ditë kur për emrat e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese që do të zëvendësojnë Vladimir Kriston dhe Sokol Berberin në Gjykatën Kushtetuese, opozita theksoi se nuk ka preferenca për emrat, ndërsa PS-ja kërkoi shtyrjen e këtij procesi.

Kundërpërgjigjja

Kreu i shtetit i është kundërpërgjigjur lajmit të gazetës “Shqip” se lidhur me propozimin e bërë në zyrën e tij nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, lidhur me deklaratat e dy ditëve më parë se ai nuk duhet të vijojë me procedurat për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese deri në realizimin e reformës në drejtësi. Në një njoftim të shpërndarë dje për mediat nga zyra e shtypit e Presidencës bën me dije detaje nga takimet konsultative të së martës që Presidenti Nishani zhvilloi në zyrën e tij me krerët e grupeve parlamentare.

Konkretisht, Presidenca bën me dije se kreu i shtetit ka marrë mbështetjen e shumicës së grupeve parlamentare, përfshirë edhe atë të LSI-së për vijimin e procedurës për plotësimin e vendeve vakante të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Nishanit, asnjë forcë politike nuk mund të kërkojë ngrirjen e Kushtetutës deri në miratimin e reformës në drejtësi.

“Kabineti i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, përgënjeshtron lajmin e shpërndarë në disa media rreth mosnjohjes së procedurës për plotësimin e vendeve vakante të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Asnjë parti politike nuk mund të kërkojë ngrirjen e Kushtetutës! Presidenti i Republikës ka marrë mbështetjen e shumicës së grupeve parlamentare, përfshirë edhe atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim për vijimin e procedurës për plotësimin e vendeve vakante të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagimin e zyrës së shtypit të Presidentit Bujar Nishani.

Procedurat

Përzgjedhja e dy anëtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese, që do të zëvendësojnë anëtarët Vladimir Kristo dhe Sokol Berberi, të cilëve u ka mbaruar mandati, ka vënë në lëvizje Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, i cili të martën zhvilloi një sërë takimesh konsultative me përfaqësuesit politikë në vend.

Takimet do të nisnin me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, për të vijuar me kryetarin e grupit të PD-së, Edi Paloka, më pas me kreun e grupit të LSI-së, Petrit Vasilin, me kryetarin e grupit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, si dhe me kreun e PR-së, Fatmir Mediu. Konsultimet me grupet parlamentare të Kuvendit janë një praktikë e ndjekur prej kohësh nga kreu i shtetit, megjithëse prej më shumë se tre vitesh mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë nuk i ka miratuar kandidaturat e propozuara nga Nishani për anëtarë të Kushtetueses apo të Gjykatës së Lartë, me argumentin se nuk ka pasur konsultime për emra konkretë, por për procesin në tërësi.

Ndërsa mësohet se kreu i grupit parlamentar të PS-së, Ruçi, ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke i kërkuar kreut të shtetit që të mos vijojë procesin e plotësimit të vendeve vakante, por më parë të pritet realizimi i reformës në drejtësi. Gjatë këtij takimi mësohet se Ruçi, ia ka depozituar dhe me anë të një letre kërkesën për mosnisjen e procedurës për plotësimin e vendeve vakante për anëtarë gjykate.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat