Bojaxhi bën avokatin e Petroliferës: Sulo Shehu spekulant

Shqipëria

Bojaxhi bën avokatin e Petroliferës: Sulo Shehu spekulant

Më: 5 maj 2016 Në ora: 09:19

Menjëherë pas akuzave të biznesmenit vlonjat Sulo Shehu për përvetësim të pronave, ka ardhur dhe reagimi i ish-zëvendësministrit të Ekonomisë në vitin 2007, Gjergj Bojaxhiu.

Përmes një statusi në "Facebook", Bojaxhiu merr përsipër të bëjë dhe avokatin e Petroliferës që ka ndërtuar në pronat e fermerëve në Vlorë, ndërsa e cilëson Sulo Shehun spekulant.

"Për sa i përket sulmit të radhës, siç dëshmojnë edhe dokumentet, pretendimet e biznesmenit spekulant bien poshtë, sepse vendimi është marrë nga Ministria e Drejtësisë përmes Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kjo jo vetëm nuk ka qenë vendimmarrje e Ministrisë së Ekonomisë, por as nuk kam qenë në rolin e zv/ ministrit në atë kohë", shkruan Bojaxhiu në reagimin e tij.

Ai publikon një vendim të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të vitit 2007, që çuditërisht disponohet nga ish-zv.ministri i asaj kohe, përmes të cilit hidhet poshtë pronësia e 9700 metrave katrorë truall ndaj subjektit Kaçandone Mustafaraj, sipërfaqe që është blerë më pas nga sipërmarrësi Shehu.

Shehu pretendon se ka qenë Gjergj Bojaxhiu, i cili i ka marrë të gjitha dokumentet e pronësisë së një sipërfaqeje prej 30 mijë metrash katrorë dhe ka punuar në favor të Petroliferës, kompani në të cilën, sipas Sulo Shehut, ai është aksioner. Shehu pretendon se sipërfaqen prej 30 mijë metrash katrorë ua ka blerë fshatarëve të zonës në vitin 1998, të cilët i kishin përfituar me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Por për Bojaxhiun, Shehu është vetëm një biznesmen spekulant, ndërsa ai vetë nuk ka asnjë gisht në vendimet e pavlefshmërisë së Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në vitin 2007.

“Siç shihet në dokumentin bashkëngjitur, pronësia e truallit që ka blerë biznesmeni spekulant është bërë e pavlefshme nga ky vendim. Avokati i Shtetit, përfaqësuar nga z. Artan Kodheli, dhe Bashkia Vlorë, përfaqësuar nga z. Shpëtim Gjika, kanë qenë ankimuesit në mënyrë që këto prona t’i ktheheshin shtetit", shkruan Bojaxhiu në profilin e tij në rrjetin social.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat