Reforma në drejtësi, Donald Lu: Ndaloni lojërat politike, miratojeni! Mos turpëroni marrëdhënien me SHBA

Shqipëria

Reforma në drejtësi, Donald Lu: Ndaloni lojërat politike, miratojeni! Mos turpëroni marrëdhënien me SHBA

Më: 4 maj 2016 Në ora: 17:32

Në Shqipëri, ambasadori amerika Donald Lu dhe ajo e delegacionit të Bashkimit europian, Romana Vlahutin deklaruan sot se SHBA-të dhe BE-ja nuk do të lejojnë që Reforma në Drejtësi të dështojë, Të dy ambasadorët, mbajtën një fjalë në hapje të mbledhjes së Komisionit të Posacëm të Reformës në Drejtësi, ku sot të do të paraqitet variant përfundimtar i përpunuar nga ekspertët e misionit amerikan të asistencës ligjore OPDAT dhe atij europian EURALIUS. Ky variant ka mbajtur parasysh sugjerimet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias si dhe ofron përgjigje për shqetësimet e ngritura nga opozita për të paktën 10 aspekte të ndryshimeve kushtetuese.

Ambasadori amerikan Donald Lu vlerësoi maksimalisht ekspertët e dy misioneve, duke deklatruar se mbështet dokumentin e përgatitur prej tyre. “E mbështes se besoj në integritetin, njohurinë, paanshmërinë politike të këtyre dy ekspertëve ndërkombëtarë, besoj në aftësitë dhe dëshirën e sinqertë që Shqipëria të ketë sistemin gjyqësor më të mirë të mundshëm”. Duke ju drejtuar Komisionit, ai bëri thirrje që “ta studioni, ngrini pyetje,e diskutoni mbi atë që do të gjeni këtu për tu siguruar që ti shërbej më mirë popullit shqiptar. Në fund të ditës ju kërkoj të gjithëve të votoni pro Reformës në Drejtësi”.

Ambasadori amerikan ishte mjaft i drejtpërdrejtë kur tha se “nëse kjo reformë dështon, ju anëtarët e këtij komisioni turpëroni veten përpara atyre që ju kanë zgjedhur dhe gjithashtu do të turpëroni marrëdhënien tuaj me SHBA dhe BE. Fatmirësisht ne së bashku nuk do të lejojmë të dështojë” theksoi ai. Edhe ambasadorja Vlahutin ishte në të njejtin pozicion kur saktësoi se “BE-ja dhe SHBA-të, janë këtu, sepse jemi të interesuar për Shqipërinë e nuk do të lejojmë që politika e ditës të lëndojë këtë të ardhme të Shqipërisë. Do ndihmojmë që të bëhet një demokraci plotësisht funksionale”.

Ambasadori amerikan kujtoi faktin se për këtë reformë, si asnjë herë me parë për një cështje, ka patur mbështetje nga kancelarja gjermane Angela Merkel, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikën e Jashtme Federica Mogherini, nga Komisioneri europian Johannes Hahn, nga sekretari amerikan i Shtetit John Kerry si dhe presidenti Barack Obama, u shpreh ambasadori Lu ndërsa paralajmëroi se “e mëshiroj partinë e verbër politike, apo udhëheqësin e shurdhër politik që e bllokon këtë reformë. E para do të dështoni nëse kërkoni ta bllokoni këtë Reformë. E dyta, do përballeni me zemërimin e publikut shqiptar vitin e ardhshëm në zgjedhjet parlamentare, nëse mendoni se mund të mbroni gjykatësit dhe prokuroërt e korruptuar duke e bllokuar këtë Reformë. Ndaloni lojërat politika. Dhe filloni ta përfundoni këtë Reformë. E keni për detyrë”, u shpreh ambasadori Lu.

Edhe kolegia e tij e BE-së, Vlahutin deklaroi se vendi “ka një shans unik që nuk duhet shpërdoruar”, ndërsa kujtoi se miratimi i Reformës para verës dhe nisja e zbatimit në vjeshtë “do të hapë mundësinë për Shqipërinë që të marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni europian për celjen e bisedimeve të anëtarësimit”, tha zonja Vlahutin duke vënë në dukje se “nëse e humbasim këtë mundësi, vendi nuk do të humbasë vetëm një vit, por shumë vite. DheShqipëria nuk mund të humbasë më shumë kohë”.

Komisioni ka vijuar mbledhjen me paraqitjen e variantit përfundimtar nga ekspertët e OPDAT-it dhe EURALIUS-it. Dy ambasadorët Lu e Vlahutin po ndjekin diskutimet me dyer të mbyllura. Sipas ambasadorit Lu, Komisioni do të duhet të përmbyllë punën brenda këtij muaji, dhe në qershor reformat të miratohet nga parlamenti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat