Sulo Shehu: Si ma grabiti Gjergj Bojaxhi pronën 25 milionë euro, prokuroria të hetojë

Shqipëria

Sulo Shehu: Si ma grabiti Gjergj Bojaxhi pronën 25 milionë euro, prokuroria të hetojë

Më: 4 maj 2016 Në ora: 16:10

Prokuroria do të duhet të përfshijë në hetimet për Gjergj Bojaxhi edhe një akuzë publike të bërë ndaj tij, veç kërkesës së policisë për ta hetuar për pastrim parash, mashtrim me kredi e fshehje të ardhurash.

Biznemeni i njohur vlonjat Sulo Shehu, e fton organin e akuzës ta hetojë Bojaxhiun, ish – Zëvendësminitrin e Ekonomisë, ish – Drejtorin e KESH dhe ish – kandidatin për Bashkinë e Tiranës, për grabitje të një prone prej 30 mijë metrash katrorë, me vlerë të përllogaritur në rreth 25 milionë euro.

Sipërfaqja është ajo mbi të cilën është ndërtuar Petrolifera.

Biznesmeni thotë se e kishte marrë në pronësi që në vitin 2002 me vendim të kthimit dhe kompensimit të pronave dhe se kishte ndërtuar një karburant. Në vitin 2007, Bojaxhi i kërkon dokumentacionin e pronës, me justifikimin se mund të çonte në një proces Arbitrazhi. Por Shehu thotë se këtu nisin problemet me një kalvar gjyqësor.

“Në vitin 2007, Gjergj Bojaxhi ka qenë Zëvendësministër i Ekonomisë. Kam vajtur në Tiranë ia kam çuar të gjitha dokumentat e origjinale, të gjitha çfarë kisha dhe që prej asaj kohe unë nuk e takova më. Pas kësaj më thërrasin në gjykatë për një gjyq që do të bëhej në drejtim të pronarëve, për të rrëzuar vendimin e kësaj toke që ishin karburantet. Mua më janë marë dokumentat dhe më kanë mashtruar. Bëra edhe unë ankimimin dhe u bëra palë në këtë gjyq. E rrëzuan këtë vendim të Komisionit të Pronave. Prona ngeli shtet. Në këtë moment iu dha direkte Petroliferasi. Unë bëra direkt kundërshtim, vazhdova gjyqin dhe sot kam një dokument, që jam sërish pronar i asaj toke, sepse e rrëzuan atë vendim, e quajtën të jashtëligjshëm”.

Biznesmeni thotë se prokuroria duhet të hetojë të gjithë procedurën se si Bojaxhi është përfshirë në makinacionin për zhdukjen e dokumentave të pronës së tij, duke shfrytëzuar postin e Zëvendësministrit të Ekonomisë. Akuzën e tij, Shehu e mbështet në faktet e dala në dritë se, pas Petroliferës fshihet kompania “Everest Oil” me administrator dhe ortak, Gjergj Bojaxhiun.

“Prokuroria duhet të nisë një hetim. Përse? M’i mori dokumentat. Dhe çfarë lidhje ka ky me ta? Do të thotë se në një moment ky ishte kundështar me ta, që do të vente në Arbitrazh me ta, por bëhet mik. Si u bë mik? Cfarë u ofroi atyre? Ata më ofronin mua kur ishte prona ime, si u bë ky? Do të thotë që ky u ofroi kushte për të përfituar pronën, ma rrëzoi pronën, mënyrën si ka nisur, mënyrën se kush i ka garantuar, une nuk e di. Duhet të behet një hetim. Unë di që ky më ka marrë dokumentet, ky është ortak do të thotë që ky është në bashkëpunim me të. Prokuroria duhet të nisë një hetim për këtë. Është pronë që unë e kam blerë me djersë dhe ai nuk mund ta gëzojë.”

Prokuroria ka regjistruar një procedim penal ndaj Gjergj Bojaxhi, pas kërkesës së policisë për disa transaksione të dyshimta me kompaninë e tij “Everest Oil”.

Menjeherë sapo ishte krijuar, në Korrik – Nëntor 2012, kjo kompani ka qarkulluar mbi 29 milionë dollarë, pa llogaritur shumat në euro dhe lek. Ndërsa vetëm për periudhën 2012 – 2015 janë depozituar ‘cash’ nga Bojaxhi mbi 26 milionë dollarë, kryesisht tërheqje nga llogari në banka të tjera.

Për Krimin Ekonomik në Policinë e Shtetit, këto shuma marramendëse janë qarkulluar në një kohë kur kursimet e familjes së tij nuk i kalojnë 50 mijë eurot në vit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat