Biznesmeni Sulo Shehu: Si më mashtroi për pronën 30 mijë metra katrorë Gjergj Bojaxhi

Shqipëria

Biznesmeni Sulo Shehu: Si më mashtroi për pronën 30 mijë metra katrorë Gjergj Bojaxhi

Më: 4 maj 2016 Në ora: 08:37

Sulo Shehu është një ndër biznesmenët e mëdhenj jo vetëm në Vlorë, por dhe në vend. Ai është ndër të parët që investoi në tregtinë e çimentos e më pas në atë të hidrokarbureve, menjëherë pas viteve ’90.

Me gjithë peripecitë që i kanë ndodhur gjatë viteve si sipërmarrës i fuqishëm, dy ditë më parë ai është tronditur kur ka dëgjuar emrin e Gjergj Bojaxhiut, ish-zëvendësministri i Ekonomisë.

“Jam i shokuar. Ai ka gisht në tokën që më mori ‘Petrolifera’ në mënyrë të padrejtë. Edhe sot jam ende në gjyq me këtë firmë, ndonëse unë kam të gjitha dokumentet e vendimet që prona është e imja”, thotë në një intervistë për gazetën biznesmeni.

Sulo Shehu tregon lidhjen mes pronës së tij prej 30 mijë metra katrorë dhe Gjergj Bojaxhiut, të cilin e implikon në këtë çështje dhe dëmet që iu shkaktuan.

“Në të vërtetë, ashtu si dhe unë e kam me vendim gjykate, prona ku sot po funksionon “Petrolifera” është e imja. Janë mbi 30 mijë metra katrorë që ua kam blerë pronarëve që në vitin ’98, pasi ata e përfituan me vendim të Komisionit të Kthimit e Kompensimit të Pronave. E kam pastruar vetë gjithë atë sipërfaqe, me djersë e punë se ishte tërësisht e bllokuar me inerte e gëlqere, por sot, falë Gjergj Bojaxhiut, nuk e shfrytëzoj”- thotë ai në intervistën për “Panorama”.

Sipas tij, prona ka qenë e tij dhe ka investuar shumë aty, duke ngritur depozitat e karburanteve dhe duke nisur biznesin në fushën e hidrokarbureve.

“Në vitin 2002, qeveria e asaj kohe ia ka dhënë sipërfaqen kompanisë së huaj, në kuadër të nismës “Shqipëria, 1 euro|, pa verifikuar nëse ishte e zënë ajo tokë. Në vitin 2007 nisën problemet, kur u hodh në gjyq vendimi i KKKP-së dhe pronarëve të mëparshëm që unë ua kisha blerë pronën, ua hoqën të drejtën e pronësisë. Atëherë më lajmëruan dhe mua, por e ankimova dhe e kam të fituar pronën sërish, pas një lufte prej disa vitesh. Sot, çështja është ende në gjyq me “Petroliferën”- thote ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat