6 mln lekë korrupsion, djali dhe sekseri krijojnë alibi shitjen e makinës...por ngatërrojnë markën

Shqipëria

6 mln lekë korrupsion, djali dhe sekseri krijojnë alibi shitjen e makinës...por ngatërrojnë markën

Më: 3 maj 2016 Në ora: 20:58

Katër të arrestuarit për korrupsion, mes tyre gjyqtari Ibrahim Hoxha, kanë nxjerrë si alibi të marrjes së 6 milionë lekëve të rinj, blerjen e një makine.
Por në dëshmitë e tyre, djali i gjyqtarit, dhe sekseri i parave, kanë rënë në kundërshti për modelin e makinës.

Shqiptarja.com shkruan se Ledion Hoxha me profesion jurist, i cili u dërgua nga babai i tij gjyqtar për të marrë 6 milionë lekët në këmbim të një vendimi gjyqësor, ka thënë në polici se këto para që do t’i merrte nga sekseri Novruz Gajda, një ish-polic, janë për një makinë. Lekët kalonin tek gjyqtari me porosi të biznesmenit Dritan Jazexhi i cili ishte i interesuar për vendimin që do të jepte gjyqtari.

Djali i gjyqtarit ka pohuar para hetuesve se nuk bëhej fjalë të ketë kërkuar apo të ketë marrë para me qëllim ndikimin në ndryshimin e vendimit nga babai i tij. Në lidhje me paratë juristi, Ledion Hoxha, ka pohuar se i kishte marrë pasi donte t’i shiste veturën e tij, Novrus Gajdës, një veturë luksoze “Mercedez- Benz”, me vlerë rreth 15 mijë euro.

Por nga ana tjetër, nga verifikimi rezultonte se në dokumente mjeti ishte i djalit të xhaxhait të Hoxhës. Kur është pyetur Gajda, ka pohuar se donte të blinte një autoveturë “Wolksëagen Sharan”. Një mjet i tillë i ngjashëm me një tabelë shitet ndodhej në vendin ku u ndaluan dy personat, por që s’kishte lidhje me ta.

Fillimisht është pyetur gjyqtari Ibrahim Hoxha. Në prani të dy avokatëve, gjyqtari ka pranuar se kishte pasur ndërhyrje nga miku i tij Novrus Gajda, për të ndihmuar në një çështje me të interesuar Dritan Jazexhiun. Po ashtu ai ka thënë se është takuar por pavarësisht kësaj thekson se nuk ka pranuar të bëjë pazare. Më tej ai ka pranuar se njihet me Gajdën që prej 25 vitesh nga koha kur ishte oficer i policisë gjyqësore në prokurorinë e Beratit dhe Gajda ishte polic i thjeshtë.

Madje gjyqtari ka pohuar se i kishte premtuar këtij të fundit për të ndërhyrë me qëllim për ta rikthyer në polici.

Më pas është pyetur Dritan Jazexhiu, i cili ka mohuar t’i ketë dhënë para, Novrus Gajdës, për të ndërhyrë tek gjyqtari Ibrahim Hoxha. Por më tej ai ka pohuar se kishte takuar Gajdën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat