“Bëj gati një gjashtëshe”, porosia që çoi në pranga gjyqtarin Hoxha

Shqipëria

“Bëj gati një gjashtëshe”, porosia që çoi në pranga gjyqtarin Hoxha

Më: 3 maj 2016 Në ora: 14:14

Arrestimi i gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Ibrahim Hoxha, është paraprirë nga një hetim disamujor i prokurorisë.

Mbrëmjen e së hënës, Hoxha u vu vu në pranga së bashku me djalin e tij, Ledjon Hoxha, dhe Dritan Jazexhiun dhe Nevruz Gajden.

Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se gjyqtari kishte në shqyrtim një proces civil prone, ku njëra nga palët ishte shtetasi Jazexhiu. Ky i fundit, me qëllim marrjen e një vendimi në favor të tij, ka kontaktuar me shtetasin Novruz Gajde, i cili kishte njohje me gjyqtarin Ibrahim Hoxha.

Në mesditën e datës 02.05.2016, shtetasi Gajde komunikon me gjyqtarin, me të cilin flet për një “gjashtëshe”, duke e lidhur këtë me procesin civil në të cilin ishte palë shtetasi Jazexhiu.

Pas këtij komunikimi, i dyshuari Novruz Gajde takohet me të dyshuarin tjetër, Dritan Jazexhiu, në lokalin e këtij të fundit dhe shkëmbejnë një sasi parash.

Pasditen e së njëjtës ditë, pas një komunikimi me gjyqtarin, i dyshuari Gajde takohet në një automjet me të dyshuarin Ledjon Hoxha.

Pasi janë ndarë, në mjetin e shtetasit Ledjon Hoxha ndërhyn policia, e cila po i mbante nën vëzhgim lëvizjet e tyre dhe nga kontrolli gjen në mjet 600 mijë lekë (të reja). Ai është arrestuar në flagrancë, si person i dyshuar për veprën penale të ”Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”.

Në vijim të veprimeve hetimore, nga ana e policisë janë arrestuar në flagrancë edhe shtetasit Ibrahim Hoxha, i dyshuar për ”korrupsion pasiv të gjyqtarit...”; Novruz Gajde, i dyshuar për veprën penale të ”Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm...”; dhe Dritan Jazexhiu, i dyshuar për veprën penale të ”Korrupsionit aktiv të gjyqtarit....”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat