Rama në Spitallë: Brenda qershorit do heqim faturat aforfe

Shqipëria

Rama në Spitallë: Brenda qershorit do heqim faturat aforfe

Më: 3 maj 2016 Në ora: 12:19

(E plotësuar) - Kryeministri i vendit Edi Rama, i shoqëruar nga kreu i OSHEE Ardian Çela ishte në Spitallë të Durrësit, ku përuroi rrjetin e ri 20 KW. Në fjalën e mbajtur, Rama theksoi se brenda muajit qershor do të hiqen të gjitha faturat aforfe. Sipas tij, reforma në energji është e domosdoshme, duke premtuar se qytetarëve do u garantohet furnizimi i pandërprerë me energji elektrike.

Me një investim prej 6,5 milionë dollarë është ndërhyrë në rrjetin ekzistues, ku nuk ishin kryer investime prej 50 vitesh dhe janë ndërtuar dy fidera të rinj 20kV Spitallë-Durrës dhe rrjeti i ri 20kV në zonën e ish Kënetës.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Spitallë, ku u njoh nga afër me këtë investim. Rritja e mbështetjes publike që iu dha përpjekjeve për formalizimin e sektorit, theksoi kryeministri, përkthehet në rritje të cilësisë së shërbimit. “Këto investime të mëdha që po bëhen sidomos në zona të vështira janë rezultat i bindjes që po nuk u paguan dritat, nuk mundet të ketë shërbim as me drita, as me fatura si duhet, as me sportele si duhet. Faktikisht, për shkak se në këtë zonë filloi shlyerja e borxheve, filloi pagesa e rregullt, por bëhet një investim që po i jep fund problemit të furnizimit me energji dhe të gjithë zonës”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama më tej i informoi banorët se së shpejti do të hiqet aforfeja, një problem i trashëguar që ka rënduar qytetarët. “Ne do t’i qëndrojmë edhe një zotimi shumë të rëndësishëm që brenda muajit qershor do të heqim aforfenë. Nuk do të ketë më fatura aforfe që janë një problem i madh, por një problem të trashëguar për shkak se historia u bë “o burra kush të vjedhë, kush t’ia hedhë tjetrit”. Ju ia hidhnit shteti, shteti ua hidhte juve dhe u bë bërllok. Ajo që po ndodh është një kthesë e madhe. Sigurish ka akoma punë të mëdha, jemi shumë larg stacionit ku duhet të mbërrijmë, sepse ia kemi hedhur njëri tjetrit 20 e ca vjet”, tha Rama.

Në këtë zonë ka përfunduar shtrimi i mbi 130 kilometra linjë e tensionit të mesëm 20 kV dhe ABC, është sistemuar rrjeti ekzistues dhe janë ndërtuar i 36 kabina të reja dhe 2000 shtylla. Rrjeti i ri, i ndërtuar në formë unazore, do të sigurojë vazhdimësi në furnizimin me energji elektrike, eliminon luhatjet e theksuara të tensionit që jo rrallë ka shkaktuar dëme në pajisje, si dhe zvogëlon humbjet në rrjet, që për vitin 2016 parashikohen të ulen në nivelin e 20%.

Edhe në këtë zonë, investimet janë realizuar nga OSHEE falë edhe rritjes së ndërgjegjësimit qytetar për të paguar energjinë e konsumuar, të cilat tashmë po i rikthehen qytetarëve në investime në rrjet. Arkëtimet në raport me vitin 2013 janë rritur pothuaj 4 herë. Në Durrës janë në proces investime të tjera, shumë të rëndësishme për fuqizimin e rrjetit të shpërndarjes për 30 vitet e ardhshme.

Ndërsa kreu i OSHEEE Çela deklaroi se humbjet në zonën e ish-kënetës do të ulen nga 70 për qind në 20 për qind. Çela pohoi se të gjitha paratë e debive janë përdorur për investime. Sipas tij, në kuadër të sezonit turistik, në këtë zonë po bëhen një sërë investimesh që të mos ketë probleme.

Rama në Durrës: Brenda qershorit do të hiqen faturat aforfe

Kryeministri, Edi Rama, ka përuruar sot në Spitallë të Durrësit rrjetin 20 kw të energjisë elektrike. Nga aty, Rama ka deklaruar se reforma e energjisë dha rezultate dhe po kthehet në investim për qytetarët.

Sipas kreut të qeverisë, brenda qershorit do të hiqen faturat aforfe. “Qytetarëve iu garantojmë furnizim me energji. Reforma e energjisë ishte efikase”, tha Rama.

I pranishëm ishte edhe kreu i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Ardian Çela. Ai premtoi një numër të madh investimesh që do jenë edhe në funksion të turizmit.

“Në ish-kënetë humbjet do ulen nga 70% në 20%. Paratë nga debitë iu janë kthyer në investime”, tha Çela para banorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat