Sot, fituesit e Lotarisë Amerikane

Shqipëria

Sot, fituesit e Lotarisë Amerikane

Më: 3 maj 2016 Në ora: 07:53

Rreth 200 mijë shqiptarët, të cilët kanë aplikuar në muajin tetor të vitit që lamë pas për Lotarinë Amerikane, do të njihen me rezultatin pasditen e sotme pas orës 18:00. Ambasada Amerikanë në Tiranë tregon rrugën dhe mekanizimin për të parë përgjigjen, që për vendin tonë nxjerr fitues deri afro 3 mijë aplikantë (individë ose familjarë). Sipas Ambasadës, njoftimet zyrtare të përzgjedhjes së fituesve do të bëhen nëpërmjet Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve, duke filluar nga 3 maji 2016 deri më 30 qershor 2017, vetëm në faqen e internetit www. dvlottery.state.gov, ndërsa sqaron se çdo faqe tjetër është mashtrim i individëve apo firmave pirate.

Edhe këtë vit, të përzgjedhurit nuk do të njoftohen si fitues përmes letrave, shtypit apo e-mailit, por vetëm duke klikuar në faqen zyrtare dhe duke plotësuar të dhënat e dala nga aplikimi fillestar. (Kodi 16-shifror i aplikimit, emri, mbiemri dhe datëlindja). “Çdo njoftim me e-mail ose letër që deklaron se jeni përzgjedhur për të marrë lotarinë nuk vjen nga Departamenti i Shtetit dhe nuk është i ligjshëm. Çdo komunikim me email që ju merrni nga Departamenti i Shtetit do ju drejtojë juve për të rishikuar Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve për informacion të ri në lidhje me aplikimin tuaj. Ju duhet të përdorni numrin tuaj të konfirmimit për të hyrë tek Kontrolli i Statusit të tё Regjistruarve (Entrant Status Check), që bëhet aktive në faqen e internetit, www.dvlottery. state.gov nga 3 maji 2016 deri të paktën në qershor 2017.

Nëse regjistrimi juaj nuk është përzgjedhur, ju nuk do të merrni udhëzime shtesë”, sqaron Ambasada. Përzgjedhja e fituesve Para se të kontrollojnë përgjigjen, aplikantët duhet të kenë përballë fletën e printuar në datën kur kanë bërë aplikimin. Aty gjenden të dhënat përkatëse, të tilla si kodi i regjistrimit 16-shifror, emri, mbiemri, si dhe viti i lindjes. Për të proceduar me kontrollin, ata duhet të hyjnë në internet në adresën e vetme zyrtare të Departamentit të Shtetit Amerikan www.dvlottery.state.gov.al/ESC/. Pasi të hapet kjo faqe, aplikantët duhet të klikojnë në emrin “continue”, i cili bën thirrje për të vazhduar më tej, ku në faqen pasardhëse shfaqen 4 hapësira boshe.

Të gjitha ato hapësira, të detyrueshme për t’u plotësuar, duhen mbushur me kujdes, ku në rend nga sipër-poshtë, shënohet fillimisht kodi i konfirmimit të regjistrimit. Në fushën e dytë shkruhet me germa kapitale mbiemri, i pasuar nga datëlindja dhe një kodi i sigurisë, i cili shfaqet në ekran i përzgjedhur në mënyrë rastësore nga kompjuteri. Pasi të kontrollojnë të dhënat, të vendosura në fushat përkatëse, aplikantët duhet të klikojnë në butonin “Submit”, pas të cilit shfaqen në ekran dy variantet e mundshme, që tregojnë nëse jeni fitues ose jo. Në rast se aplikantët kanë fituar mundësinë për të udhëtuar drejt shtetit amerikan, sipas numrit që shteti amerikan asocion, ata duhet të presin nga 5 deri në 16 muaj për t’u thirrur për intervistë.

Rregullat e emigracionit, kush përjashtohet

Programi vjetor i Lotarisë është i disponueshëm vetëm për personat që plotësojnë kushtet e thjeshta, por të rrepta, të pranueshmërisë të kërkuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Vizat shpërndahen midis 6 rajoneve gjeografike, pjesa më e madhe e të cilave u shkon rajoneve me raport të ulët emigracioni, dhe asnjë vizë nuk u shkon vendeve që kanë dërguar më shumë se 50 mijë emigrantë në SHBA gjatë 5 viteve të fundit. Brenda secilit rajon, asnjë vend i veçantë nuk mund të marrë më shumë se 7 për qind të vizave të lotarisë të disponueshme çdo vit. Për lotarinë e vitit 2016, asnjë shtet nuk është hequr apo shtuar nga lista e kaluar e vendeve të pranueshme për lotarinë.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka nisur sistemin e regjistrimit elektronik, duke filluar që me lotarinë e vitit 2005, në mënyrë që procesi të jetë sa më efikas dhe i sigurt. Shanset Programi i vizave emigruese në shumë vende të botës u jep përfituesve të drejtën për emigrim dhe banim të përhershëm në SHBA. Programi i lotarisë ka filluar para 24 vitesh dhe ka për qëllim të krijojë një larmi të emigrantëve që shkojnë në SHBA, duke përzgjedhur 55 mijë fitues (individë ose familje) nga miliona vetë që aplikojnë. Sipas të dhënave të emigracionit nga Shqipëria kanë konkurruar rreth 56 mijë aplikantë vetëm në vitin 2011. Më 2013 nga Shqipëria vizën emigruese për në SHBA e kanë fituar 1520 vetë, ndërsa më 2014 ky numër është dyfishuar 3289, që i bën shqiptarët ndër përfituesit më të mëdhenj të programit të lotarisë nga e gjithë bota, në raport me popullsinë. Në lotarinë e vitit 2013 për 55 mijë vizat emigruese janë bërë rreth 8 milionë aplikime nga e gjithë bota. Ndërkohë, vitin e kaluar pati një rritje masive të kërkesave nga ana e shqiptarëve, për të shkuar në shtetin amerikan përmes përzgjedhjes rastësore nga Lotaria, duke dyfishuar aplikimet brenda 5 viteve.

Arsimimi Aplikantët duhet të kenë mbaruar arsimin e mesëm me kohë të plotë, që është ekuivalent me arsimimin në të paktën një shkollë të mesme amerikane (4-vjeçare, me kohë të plotë, arsim i përgjithshëm). Jo të gjitha diplomat e shkollës së mesme në Shqipëri kualifikohen për programin. Diplomat e shkollës së mesme me kohë të pjesshme, pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose ato me korrespondencë, përfshirë programet 5-vjeçare ose programet e gjata (me kohë të pjesshme, pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose me korrespondencë) nuk kualifikohen për programin e lotarisë. Për më tepër, diplomat e shkollave të mesme profesionale rrallëherë kualifikohen për lotarinë. Edhe nëse aplikantët kanë mbaruar një pjesë të shkollës së mesme në sistemin me shkëputje nga puna dhe pjesën tjetër në sistemin me kohë të plotë, kjo diplomë nuk kualifikohet për programin e lotarisë. Diplomat universitare kualifikohen për programin e lotarisë së DV-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat