Një grua kundër Shullazit: Më mori 1 milion euro pasuri

Shqipëria

Një grua kundër Shullazit: Më mori 1 milion euro pasuri

Më: 2 maj 2016 Në ora: 15:47

Dëshmia e një gruaje duket se e ka rënduar pozitën e Emiliano Shullazit, pikërisht në kohën kur avokatët e tij i janë drejtuar Gjykatës së Apelit me kërkesën për lirim, në kushtet e mungesës së provës.

“Top Channel” citon një burim, sipas të cilit, pas ofertave të organit të akuzës ndaj disa biznesmenëve që dyshohet se janë gjobitur, një grua biznesmene është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ka dëshmuar kundër Emiliano Shullazit dhe Gilmando Danit.

“Më kanë marrë një pasuri timen në Tiranë me vlerë 1 milion euro”, ka thënë gruaja, e cila ka shtuar se kjo pasuri ka kaluar në pronësi të Gilmando Danit.

Për disa orë gruaja, identiteti i të cilës mbahet sekret për shkak të sigurisë së jetës së saj, është marrë në pyetje nga zyrtarë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërkohë që është urdhëruar sekuestrimi i dokumenteve në hipotekë dhe në gjykatë në mënyrë që të verifikohet me prova denoncimi i 50-vjeçares.

Prokuroria nuk jep asnjë version zyrtar për këtë çështje për shkak të sekretit hetimor. Konfirmohet se tre shtetas të përmendur në një raport të Shërbimit Informativ si biznesmenë që u është vendosur gjobë nga Shullazi kanë refuzuar të depozitojnë kallëzim kundër tij, aq më tepër që e kanë mohuar njohjen me të.

Ndërkohë që shtetasit Jani Zaka, personi që ka dëshmuar se është kërcënuar për t’i marrë një garazh në Tiranë, nuk i është gjetur ende adresa e tij për të kryer veprime të tjera hetimore.

Emiliano Shullazi është rikthyer në paraburgim në kryeqytet, pasi u mbajt disa ditë në Elbasan dhe është në pritje të shqyrtimit të kërkesës për të lënë qelitë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat