Arben Frroku përdori identitetin e tij, Renato Cepa: Nuk e njoh

Shqipëria

Arben Frroku përdori identitetin e tij, Renato Cepa: Nuk e njoh

Më: 2 maj 2016 Në ora: 09:14

Renato Cepa, 49-vjeçari nga Korça, identiteti i të cilit u përdor nga vëllai i ish-deputetit Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj ndërsa u arrestua nga policia holandeze me identitet të rremë dhe të falsifikuar, ka mohuar kategorikisht se ka njohje me të akuzuarin, ndërsa ka thënë se nuk ka asnjë dijeni për vjedhjen e identitetit të tij.

Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, Renato Cepa ka hedhur poshtë të gjitha shpifjet sipas tij të dala në disa media ku është përfolur se ai është shpallur në kërkim nga policia e Korçës, ndërsa ka hedhur poshtë akuzat se ka pasur identitete të ndryshme.

49-vjeçari, baba i tre fëmijëve, ka pohuar se nuk është larguar asnjëherë nga banesa e tij, madje është i gatshëm dhe në dispozicion të policisë dhe prokurorisë, ku këto të fundit nuk e kanë thirrur asnjëherë për të deklaruar rreth këtij rasti.

Cepa ka shtuar se, ai ndodhet gjatë gjithë kohës në qendër të qytetit të Korçës, ku punon në lokalin e tij, dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme. Teksa shprehet i shqetësuar për lajmin e publikuar se ai është i shpallur në kërkim, Renato Cepa ka kërkuar verifikim të informacionit para publikimit, pasi përhapja e lajmit të rremë ka tronditur familjen e tij, dhe se kjo nuk është aspak e drejtë.

I pyetur nëse ka njohje me të akuzuarin për vrasjen e kryekomisarit, Arben Frrokun, Cepa ka pohuar se nuk ka asnjë dijeni për personin në fjalë, ndërsa identiteti i tij është falsifikuar nga persona të cilat duhet t’i gjejë drejtësia shqiptare. I shqetësuar për vjedhjen e identitetit të tij, 49-vjeçari ka thënë në intervistë se disponon të gjitha mjetet e identifikimit dhe nuk ka humbur asnjë prej tyre.

Identiteti tuaj është përdorur nga Arben Frroku, i akuzuari kryesor për vrasjen e ish-kryekomisarit Dritan Lamaj; ju, e njihni këtë person?

Unë nuk kam asnjë lloj lidhjeje shoqërore apo fisnore me atë person. Kam më se një javë që dëgjoj emrin tim të përmendet në media dhe kjo më ka shqetësuar shumë mua dhe familjen time. Më duket sikur e kam bërë unë atë krim kur dëgjoj emrin tim në media. E theksoj që nuk e njoh atë person dhe nuk e di si e ka vjedhur identitetin tim, s’kam asnjë dijeni. Se si e ka marrë identitetin, le ta zbulojnë organet kompetente. Unë dua të mos përmendet më emri im, pasi kam fëmijë dhe janë shqetësuar shumë.

Pse mendoni se është zgjedhur pikërisht identiteti tuaj, a keni pasur raste të humbjes së dokumenteve?

Nuk e kam idenë se përse apo ku e kanë gjetur emrin tim dhe gjeneralitetet e mia. Unë disponoj të gjitha dokumentet e identifikimit në emrin tim, duke nisur nga pasaporta, letërnjoftimi, nënshtetësia greke dhe leja e drejtimit shqiptare (i tregon). Nuk më kanë humbur asnjëherë dokumentet e mia, sepse nëse do më kishin humbur, edhe mund të dyshohej se personat që i kanë gjetur i kanë përdorur për hesapet e tyre. Jo, nuk më kanë humbur asnjëherë! Madje po ju them diçka që e dinë të gjithë korçarët. Shumë qytetarë korçarë janë penalizuar në periudhën e vizave, pasi identitetet e tyre përdoreshin nga persona trafikantë apo që s’kishin lidhje fare me identitetin origjinal. Në Shqipëri identiteti vidhet shumë lehtë dhe emri i personave të thjeshtë përdoret nga persona që duan të mbulojnë bëmat e tyre.

Është përfolur se ju jeni shpallur në kërkim nga policia; sa e vërtetë është kjo?

Ky është një skandal dhe mjerim ku është katandisur media sot! E kam marrë vesh nëpërmjet televizorit, ku thuhej se unë jam arratisur dhe jam shpallur në kërkim nga policia. Kjo nuk është e vërtetë. Unë jam 24 në 24 në qendër të Korçës. Banesa ime ndodhet mbrapa Prefekturës dhe kati i parë funksionon si lokal, me të cilin mbaj familjen. Deri më sot, mua policia dhe prokuroria nuk më kanë thirrur asnjëherë, dhe nëse më lajmërojnë, unë jam i gatshëm në çdo moment, sepse jam i pastër, pasi deri më sot nuk kam shkelur asnjë ligj. Po më trajtojnë sikur jam unë vrasësi dhe jo dikush që ka vjedhur identitetin tim. Familja ime është në një gjendje shoku, sepse jemi të ndershëm dhe nuk mund t’i kapërdijmë dot këto sajesa mbi identitetin tim.

Sa shpesh lëvizni jashtë Shqipërisë dhe a keni ndonjë aktivitet jashtë kufijve?

Unë i përkas minoritetit grek dhe kam edhe nënshtetësi greke. U përfol se unë nuk figuroj të kem kaluar në Pikën Kufitare të Kapshticës. Kjo është e tmerrshme! Hera e fundit që unë kam qenë në Kostur është të martën e kaluar, dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme. Unë nuk kaloj me pasaportë që t’ju tregoj vulat, por kaloj me kartën greke, dhe atje nuk vendosen vula kur kaloj kufirin. Në Kostur kam shkuar pasi jam duke kryer kursin për të marrë lejë drejtimi greke. Disa kohë më parë, në Maqedoni ka kaluar djali im dhe jo unë, atje kalojmë me kartë identiteti. Në Maqedoni shkojmë shpesh, pasi furnizohemi me karburant sepse kushton më lirë, vetëm për këtë dhe për asgjë tjetër. Edhe kjo është lehtësisht e verifikueshme, pasi qëndrimi në shtetin maqedonas është rreth 30 minuta; sapo jam furnizuar, jam kthyer sërish në Shqipëri.

A ndiheni të shqetësuar që identiteti tuaj është përdorur nga një i dënuar me burgim të përjetshëm dhe çfarë kërkoni?

Sigurisht që ndihem i shqetësuar dhe mjaft i rënduar psikologjikisht, pasi më ka shkaktuar edhe shqetësim te fëmijët dhe bashkëshortja. Jo vetëm në familje, por edhe te të gjithë njerëzit e mi. Kam punuar gjithë jetën me ndershmëri, por s’mund të përbaltet emri im thjesht se dikush me pushtet ka falsifikuar identitetin tim. Kërkoj nga media të jetë mjaft e kujdesshme në dhënien e informacioneve, dhe drejtësia e policia të zbardhin dhe të sqarojnë sa më parë këtë histori që po më shkatërron jetën!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat