Studime në Itali, si të aplikoni

Shqipëria

Studime në Itali, si të aplikoni

Më: 2 maj 2016 Në ora: 08:13

Të gjitha ata që dëshirojnë të ndjekin studimet në universitetet italiane, tashmë do të ndjekin procedura të ndryshme nga paraardhësit e tyre. Ambasada Italiane ka publikuar etapat e reja që duhet të ndjekin maturantët dhe ish-maturantët, si dhe dokumentet e nevojshme për të ndjekur studimet në vitin akademik 2016¬-2017. Këto të fundit ndryshojnë në varësi të kategorive të aplikantëve. Ndërkohë, përpos kërkesave për studime në ciklet e plota universitare, Itali ka hapur aplikimet edhe për kurse të shkurtuara e specializime. Formularët e lëshuar nga Ambasada duhet të plotësohen sipas udhëzimit, përndryshe të rinjtë rrezikojnë të djegin mundësitë që në fazën e pararegjistrimit, e cila mbyllet në 7 korrik.

Kërkesat

Brenda datës 7 korrik 2016, studentët që dëshirojnë të fillojnë procedurën e pararegjistrimit, duhet të caktojnë një takim pranë Ambasadës Italiane përmes shërbimit “Prenoto online” të faqes së Ambasadës. Ditën e paraqitjes së kërkesës, të rinjtë (deri në 18 vjeç) duhet të jenë të shoqëruar nga prindërit, dhe duhet të kenë me vete, certifikatë personale lindjeje dhe familjare, formularin e autentikimit të fotografisë dhe formularin e regjistrimit (të dy këtë të fundit, tërësisht të plotësuar por të pa firmosur). Tërhiqet vëmendja e studentëve mbi faktin se në kërkesë duhet të shënohet qartësisht vetëm një degë universitare. Dokumentet e fundit që duhet të dorëzohen janë dëftesa e pjekurisë dhe certifikata e Maturës Shtetërore, (në origjinal ose kopje të origjinalit). Aplikuesit që nuk zotërojnë më Dëftesën origjinale do të dorëzojnë një vërtetim me rezultatet e të gjithë viteve bashkë me ato të Maturës Shtetërore. Nxënësit e regjistruar në vitin e fundit ë shkollës së mesme, që do të marrin dëftesën në mbyllje të këtij viti shkollor, do të paraqesin një fotokopje të Formularit A1, me të cilin janë regjistruar online për provimet e Maturës 2016.

Këta nxënës duhet të dorëzojnë në Ambasadë dëftesën origjinale përpara lëshimit të vizës. Ndërkohë, studentët që dëshirojnë të regjistrohen në kurset e ciklit të dytë (Laurea Magistrale), jo me numër të mbyllur, si për shembull, specializim ose kurs të shkurtuar duhet të dorëzojnë përveç dëftesës së Maturës Shtetërore, edhe Diplomën universitare, listën e provimeve dhe programin e detajuar të studimeve. Studentët e regjistruar në vit të fundit të sistemit trevjeçar, që do të marrin Diplomën brenda verës së vitit 2016, duhet të dorëzojnë një vërtetim, që provon regjistrimin në vit të tretë dhe provimet e dhëna. Diploma përfundimtare do të dorëzohet në Ambasadë përpara lëshimit të vizës. Dokumentet e shkollës së mesme duhet të vulosen në Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe në Ministrinë së Arsimit. Më pas, dokumentet duhet të vulosen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të përkthehen në gjuhën italiane nga Instituti Italian i Kulturës, ose nga njëri prej përkthyesve të betuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat