Nishani uron Pashkët: Le të shërbejë kjo ditë për solidaritetin njerëzor

Shqipëria

Nishani uron Pashkët: Le të shërbejë kjo ditë për solidaritetin njerëzor

Më: 1 maj 2016 Në ora: 09:22

Tiranë, 1 maj 2016, NOA.al - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë me rastin e Festës së Pashkëve ortodokse.

“Të dashur besimtarë ortodoksë shqiptarë, kudo ku ndodheni. Në cilësinë e Kreut të Shtetit dëshiroj që me rastin e kësaj Feste të shenjtë, t’ju uroj nga zemra ‘Gëzuar dhe për shumë vjet Pashkët’! Festa e Pashkëve është dita e madhërishme e ringjalljes së Krishtit, dita e ripërtëritjes së përdëllimit dhe e rifreskimit të besimit të palëkundur tek i Plotfuqishmi”, shprehet Nishani.

Më tej në mesazhin e tij të urimit Presidenti ka kërkuar që kjo ditë të shërbejë si një ditë simbolike e besimit fetar për të reflektuar si dhe për të përsosur sadopak veten dhe të dashurit tanë.

“Le të na shërbejë kjo ditë simbolike e kremtimit të ringjalljes së shpirtit hyjnor dhe besimit fetar për të reflektuar si dhe për të përsosur sadopak veten, të dashurit tanë, bashkësinë ku jetojmë, marrëdhëniet dhe solidaritetin njerëzor, por dhe për të konsoliduar e nxjerrë më shumë në pah vlerat e patjetërsueshme dhe tradicionale të bashkëjetesës e harmonisë fetare të shqiptarëve”, shtoi Nishani.

Në fund Nishani ka përfituar nga Festa e madhërishme për të uruar gjithashtu më shumë lumturi, fat të mbarë, mirëqenie, begati e harmoni jo vetëm për besimtarët ortodoksë shqiptarë, por edhe një të ardhme sa më të begatë e të ndritur për mbarë popullin tonë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat