Rama: Përfundojnë 180 km pastrim kanalesh në Korçë

Shqipëria

Rama: Përfundojnë 180 km pastrim kanalesh në Korçë

Më: 30 prill 2016 Në ora: 20:58

Premtimi që çdo fermer shqiptar të marrë ujë në tokën ku punon, shumë shpejt do të jetë një realitet i prekshëm edhe për fermerët e Korçës. Për të vënë në jetë këtë zotim qeveria ka vendosur në dispozicion një buxhet prej 5 miliardë lekësh që ka tejkaluar çdo dhënie fondesh të bëra deri më tani në ujitje dhe kullim nga qeveritë e mëparshme.

Aktualisht, në të gjithë zonën e Korçës po punohet në vijimësi për hapjen dhe mirëmbajtjen e kanaleve të ujitjes dhe të kullimit.

Kryeministri Edi Rama ishte Lumanas, Korçë, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo dhe përfaqësues lokalë të zonës për të inspektuar ecurinë e këtij procesi tejet të rëndësishëm për bujqësinë.

Kështu, vetëm në qarkun Korçë përfundojnë këtë vit 180 km pastrim kanalesh me fonde nga qeveria qendrore. Kjo mbështetje do te vijojë edhe ne vitet në vijim, duke u bazuar tek rezultatet konkrete të bashkisë në funksion të fermerit.

Kryetari i bashkisë së Korçës Sotiraq Filo informoi se deri tani janë pastruar rreth 140 kilometra kanale të dyta dhe të treta në pjesën e vaditjes, mes tyre edhe shumë kanale që kishin vite pa u pastruar. “Kemi sistemuar pjesën e emergjencës së dimrit përrenj edhe kanale kulluese, ndërkohë që këto muajt e parë të pranverës jemi përqendruar në pjesën e kanaleve vaditëse. Kemi filluar që nga burimi, që nga kanali i Gjançit duke pastruar të dy degët e tij. Deri tani kemi pastruar rreth 140 kilometër kanale të dyta dhe të treta në pjesën vaditjes. Kishte kanale që kishin vite pa u pastruar.

Kryeministri Edi Rama tha se, synimi është që deri në fund të vitit të ardhshëm të dyfishohet sipërfaqja e tokës së ujitshme në vend:

“5 mijë hektarë në këtë zonë ku njerëzit janë punëtorë, janë fjalë pak, ku kërkojnë vetëm ujë i shtohen vetëm nga paketa financiare e mbështetjes dhe mbështetjes logjistike që ka dhënë qeveria. Jam i bindur që deri në fund të vitit të ardhshëm ta çojmë deri në 200 mijë ha , pra pothuajse ta dyfishojmë tokën e ujitshme në Shqipëri nga 2013 dhe të krijojmë një bazë komplet tjetër për të gjithë njerëzit që duan të jetojnë me punë të ndershme në fshat. Sepse, fatkeqësisht ka shumë të papunë me dhunë për shkak të mungesës se ujit. Është fatalitet!”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat