Arrestimi i Frrokut: Ja dyshimet për veprimet e Interpolit

Shqipëria

Arrestimi i Frrokut: Ja dyshimet për veprimet e Interpolit

Më: 30 prill 2016 Në ora: 11:58

Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisar Dritan Lamajt, është ndaluar në Holandë që prej 6 marsit, por verifikimi i gjurmëve të gishtave është bërë vetëm dy ditë më parë. Procedurat e Interpolit diktojnë hedhjen e gjurmëve të gishtave në sistem për personat e kërkuar, çka mund të sillte identifikimin e Frrokut brenda pak minutash.

Arrestimi i Arben Frrokut në Holandë shënon “rastësinë” e radhës me autoritetet shqiptare.

Pas lirimit nga Krimet e Rënda, që e shpalli të pafajshëm për vrasjen e komisar Dritan Lamajt, ai u largua nga Shqipëria pikërisht në orën kur sistemi TIMS nuk funksiononte.

“Rastësia” bëri që Frroku të kalonte kufirin shqiptar pa u regjistruar në TIMS, por më vonë, zyrtarë të policisë dhe Ministrisë së Brendshme thanë se emri i tij ishte regjistruar me dorë.

Po “rastësisht” policët në pikën kufitare kishin harruar të vulosnin pasaportën e Frrokut, çka u bë shkak për ndalimin e tij në kufirin mes Kroacisë dhe Malit të Zi.

Por për këtë çështje nuk është dhënë ende një shpjegim nga autoritet shqiptare, të cilat po rastësisht u informuan për arrestimin e Frrokut vetëm pak ditë më parë.

Por sipas autoriteteve holandeze, i dënuari me burgim të përjetshëm ishte ndaluar nga Zyra e Emigracionit që prej datës 6 mars dhe për më shumë se 50 ditë është mbajtur i ndaluar. Interpol Tirana thotë se nuk kishte dijeni për këtë çështje, por është informuar vetëm prej pak ditësh.

“Interpol Tirana, gjatë ditëve të fundit, ka pasur disa komunikime me homologët në Holandë, në lidhje me këtë çështje, por vetëm sot pasdite u konfirmua se shtetasi i paraqitur me dokumente të falsifikuara nën emrin ‘Renato Tsepa’, ishte shtetasi Arben Frroku, i dënuar tashmë nga drejtësia shqiptare”, tha policia, në një deklaratë për mediat, dy ditë më parë.

Por kjo deklaratë e policisë hedh dyshime të forta për veprimet e Interpol Tiranës, pasi procedura që ndiqet në rastet e personave në kërkim është strikte dhe ka një sërë elementesh që ndihmojnë autoritetet e vendeve të tjera në rast të kapjes së një të dënuari.

Sipas të dhënave të deritanishme, mësohet se Zyra e Emigracionit në aeroportin Schiphol të Amsterdamit ka shoqëruar një person, i paraqitur me pasaportë dhe gjenealitete greke, Renato Tsepa, i datëlindjes 1968.

Autoritetet holandeze kanë pasur dyshime se pasaporta e tij ishte e falsifikuar dhe e kanë mbajtur të ndaluar deri në përfundim të veprimeve verifikuese.

Nga sa rezulton, verifikimi i autoriteteve holandeze përfundoi në 28 prill 2016, rreth 50 ditë pas ndalimit të tij.

Rezultati ishte: I ndaluari është Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri.

Sipas procedurës që ndiqet në këto raste, identifikimi i Frrokut do ishte shumë i thjeshtë nëse në sistemin e brendshëm të Interpolit do ishin gjurmët e tij të gishtërinjve.

I dyshuari është ndaluar në datë 6 mars, për mbajtjen e një pasaporte të falsifikuar. Në çdo rast të tillë, elementi identifikues janë shenjat e gishtërinjve të personit.

Pra, nëse gjurmët e Frrokut do ishin në sistem, verifikimi i tij do bëhej për çështje minutash dhe autoriteteve holandeze nuk do u duheshin 50 ditë për të zbuluar identitetin e tij.

Në këtë situatë: Ose autoritetet holandeze nuk e kanë kryer për rreth 50 ditë skanimin e gjurmëve të gishtave, gjë që tingëllon jo shumë realiste.

Ose, në sistemin ndërkombëtar të personave në kërkim, gjurmët e gishtave të Arben Frrokut nuk gjenden.

Këto dyshime janë hedhur poshtë nga Ministria e Brendshme, e cila në një deklaratë për mediat bërë ditën e djeshme, thotë se Interpol Tirana ka bashkëpunuar me autoritetet holandeze, duke kryer të gjitha procedurat e nevojshme.

Por mësohet se zyrtarisht Interpol Tirana ka komunikuar vetëm dy ditët e fundit me homologët e tyre në Hagë, pra kanë reaguar në të njëjtën kohë pas deklarimit të Berishës dhe impenjimit të zyrave diplomatike të Beneluksit në Tiranë.

Tri vitet e fundit “rastësitë” për vëllezërit Frroku janë të shumta dhe të gjitha lidhen me policinë shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat