Thirrja për armatosje/ Zbardhet padia e PS ndaj Sali Berishës

Shqipëria

Thirrja për armatosje/ Zbardhet padia e PS ndaj Sali Berishës

Më: 29 prill 2016 Në ora: 20:44

Deklarata e pashembullt e Sali Berishës që ftoi qytetarët nga Parlamenti që të armatosen për t’u mbrojtur nga Qeveria, prodhoi jo pak polemika dhe pështjellim në opinionin publik, por edhe një kallëzimi penal të dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme nga Taulant Balla, nënkryetar i Grupit Parlamentar që mban firmat e 10 deputetëve socialistë.

Top Channel disponon një kopje të kallëzimit drejtuar kryeprokurorit Adriatik Llalla përmes të cilit PS e konsideron thirrjen e Berishës si konsumim të veprave penale të parashikuar nga nenet 222,223 dhe 267 të Kodit Penal, ku më e rënda thirrja për armatosje kundër rendit kushtetues dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Ky kallëzim, i cili pritet ta përshkallëzojë akoma edhe më tepër marrëdhënien e tensionuar mes opozitës dhe qeverisë, arrin në këtë përfundim.

“Nëpërmjet veprimeve të tij kriminale i kallëzuari, jo vetëm ka vënë në rrezik, por edhe ka cënuar rendin kushtetues, rendin dhe sigurinë juridike, por edhe ka ekspozuar qytetarët përpara një rreziku imediat për jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre”, thotë PS.

Sipas hartuesve të kallëzimit:

“Thirrjet për armatosje të popullatës përbëjnë kanosje dhe sfidim serioz të shtetit ligjor, mbartin rrezikshmëri të theksuar kriminale dhe manifestojnë një qëndrim mospërfillës ndaj jetës së qytetarëve dhe të ardhmes së tyre, duke krijuar premisa reale për situata të rënda kriminale”, shtohet në padinë e dorëzuar në Prokurori.

Kjo lëvizje kundër Sali Berishës vjen edhe si një presion i brendshëm në gjirin e Grupit Parlamentar socialist nga ku deputetja Arta Dade, një javë më parë u shpreh e pakënaqur me mënyrën si po vepronte forca e saj politike me ish-kryeministrin.

Ndërkohë, reagoi edhe kreu opozitës, i cili e quan këtë kallëzim si një hakmarrje të kryeministrit Edi Rama.

“I njëjti adjutant-taulant u shfaq sërish, duke shërbyer një bandë tjetër të Edi Ramës, duke paralajmëruar një hakmarrje tjetër të krimit ndaj Sali Berishës. Basha e lidh këtë zhvillim, me atë që ai thekson si prishje nga Berisha të planeve për ta mbajtur të fshehtë ndalimin në Holandë të Arben Frrokut, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Lamaj”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat