Shmanget incidenti PS-LSI. Moment i sikletshëm i Metës në Kuvend (Video)

Shqipëria

Shmanget incidenti PS-LSI. Moment i sikletshëm i Metës në Kuvend (Video)

Më: 29 prill 2016 Në ora: 08:38

Seanca parlamentare e së enjtes ishte e qetë për shkak të mungesës së opozitës e cila kishte deklaruar bojkotin 10 ditor pas penalizmit të ish-kryeministrit Berisha.

Por sërish ka pasur përplasje dhe ajo ka qenë në radhët e mazhorancës, siç mund ta shihni edhe në videon më poshtë.

Shkak është bërë një projekt-ligj i propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim për Punën Vullnetare.

Është një nismë ka kaluar pa shumë bujë në komisionet parlamentare, por mesa duket, nuk ka marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve socialistë.

Në këtë pikë, kreu i Kuvendit kaloi një moment të sikletshëm kur ky ligj u hodh në votim në parim.

Në sallë ishin 76 deputetë, por ligji morri vetëm 70 vota. Pas një pauze, Meta tha se, ligji ishte rrëzuar pasi nuk ishte plotësuar kuorumi i nevojshëm prej 71 votash.

“Ligji nuk miratohet”, – konfirmoi kryeparlamentari Meta nga foltorja e kuvendit.

Por në këtë moment ka ndërhyrë kreu i deputetëve socialistë Gramoz Ruçi, i cili “u justifikua” se nuk kishte punuar elektronika për disa deputetë.

“Nuk më duket se është çështje elektronike”,- iu përgjigj Meta.

Ruçi kërkoi përsëritje të votimit dhe vetëm pas këmbënguljes së tij, ligji u hodh sërish për votim.

Ata që ishin të pranishëm në sallë panë se si nënkryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla i kërkonte Vasilika Hysit të votonte për ligjin, por ajo kundërshtonte.

Ky moment nuk i ka shpëtuar kryeparlamentarit Meta, që i ka tërhequr vëmendjen Ballës: “Zoti Balla, deputetët e dinë vetë se si të votojnë. Nuk ka nevojë…”.

Në votimin e dytë ligji mori 72 vota pro dhe një abstenim, por “shija e keqe” e këtij votimi tregoi marrëdhëniet e acaruara mes PS dhe LSI në minimumin e tyre.


VOTIMI PARLAMENT by lapsi-al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat