Mundësi punësimi edhe për të pastrehët (Foto)

Shqipëria

Mundësi punësimi edhe për të pastrehët (Foto)

Më: 28 prill 2016 Në ora: 16:49

Të gjitha ato familje, që kanë përfituar shtëpi banimi me kosto të ulët nga Enti Kombëtar i Banesave, por strehimi i të cilave rrezikohet për shkak të pamundësisë për të kryer pagesat mujore si rezultat i papunësisë do tu ofrohet mundësi punësimi.

Në ditën e parë të Panairit të Punës 2016, Enti Kombëtar i Banesave (institucion me vetëfinancim, në varësi të Ministrisë së Zhvillimit Urban) dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit nënshkruan marrëveshjen që krijon këtë lehtësi.

Do të jetë zyra e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, e cila do tu vijë në ndihmë këtyre familjeve për t’i orientuar në tregun e punës, si edhe për t’i ofruar trajnime për profesione të veçanta.

Në fjalën e saj, Doris Andoni, Drejtoresha e Entit Kombëtar të Banesave tha se, ky ent numëron debitorë rreth 14% të klienteve që kanë përfituar strehim. 54% e debitorëve kanë shkaqe ekonomike, për arsye të papunësisë.

“Duke evidentuar çdo debitor dhe problematikën që ai ka, këto familje do të kenë përparësi për punësim dhe trajnime, në mënyrë që të dalin nga varfëria dhe të kryejnë pagesat. Ne do të rishikojmë kontratat me ta, për të lehtësuar pagesat duke i shtrirë ato në kohë” – tha ndër të tjera Andoni në fjalën e saj.

Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Artur Micko theksoi se marrëveshja është shumë e rëndësishme, veçanërisht për për familjet që kanë përfituar strehim nga EKB, dhe rrezikojnë të nxirren jashtë për shkak të pamundësive të pagesës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat