Tabaku: ERE konfirmon abuzimet e qeverisë me energjinë

Shqipëria

Tabaku: ERE konfirmon abuzimet e qeverisë me energjinë

Më: 28 prill 2016 Në ora: 13:16

Partia Demokratike ka vijuar me “denoncimin e aferave të qeverisjes së këtyre 3 viteve me një nga flamujt e kësaj qeverie, të ashtuquajturën reformë në sektorin energjetik”.

Në një deklaratë për mediet, deputetja e PD-së Jorida Tabaku është shprehur se “ në fillim të vitit 2015, opozita kritikoi ashpër qeverinë sepse rriti çmimin e energjisë elektrike për familjarët dhe gjithashtu për bizneset”.

“Na akuzuan se opozita po mashtronte, sepse çmimi real i energjisë elektrike po ulej. Realiteti është plotësisht i kundërt, dhe raporti i ERE-s është rikujtesa për çdo shqiptar që sot paguan një faturë më të hidhur për energjinë”, shprehet ajo.

“Sipas ERE-s, çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët u rrit me rreth 13 për qind gjatë 2015. Ky raport thekson se të gjithë tarifat e energjisë u rritën për të gjitha kategoritë e konsumatorëve”, vijoi Tabaku.

Deputetja e PD-së ka shtuar se raporti i ERE-s, nxjerr edhe njëherë në pah gënjeshtrën qeveritare se çmimi mesatar do të ulej për të gjithë konsumatorët.

“Duke faktuar edhe një herë se sot të gjithë konsumatorët, biznese apo familje, paguajnë 11.22 lekë/kilovat nga 9.22 që paguanin më parë. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, shqiptarët janë sot peng i një aksioni që mbahet si flamuri i qeverisë, ku punonjësit e OSHEE-së u shndërruan në policët që burgosnin qytetarët për mospagimin e energjisë. Ndërkohë që qeveria raporton se ka ulur deficitin e OSHEE-së përmes kërbaçit ndaj qytetarëve më të varfër dhe të pambrojtur të vendit, raporti i ERE-s edhe një herë nxjerr zbuluar propagandën”, deklaron Tabaku.

Sipas saj, kjo është oligarkia e korrupsionit që sundon sot, me abuzime e plaçkitje në çdo degë të qeverisë, ku nga më të dalluarat në këtë drejtim mbetet OSHEE-ja dhe sektori i energjisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat