Ligji i ri, shtohet një kriter për regjistrimin në universitete

Shqipëria

Ligji i ri, shtohet një kriter për regjistrimin në universitete

Më: 28 prill 2016 Në ora: 09:36

Studentët që dëshirojnë të ndjekin studimet e larta do të duhet që paraprakisht të dorëzojnë vërtetimin se kanë bërë vaksinat, në të kundër do t’i refuzohet regjistrimi në Universitet. Këtë e parashikon ligji i ri për parandalimin e sëmundjeve infektive.

Ligji parashikon që të gjithë studentët që dëshirojnë të regjistrohen për në arsimin e lartë duhet të kenë bërë të gjitha vaksinat sipas kalendarit, një rregull ky që ndiqet në praktikat evropiane. Në dokumentet që do të dorëzohen për studimet e larta duhet të jetë kartela e vaksinave, të cilat do të verifikohen e në rast se nuk është përmbushur i gjithë kalendari, do të rekomandohen edhe vaksinat që duhen bërë.

Ky ligj ka hyrë në fuqi vetëm prej 1 muaji dhe pritet që të nxirren aktet nënligjore. Gjithçka parashikohet në ligjin “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, i cili për herë të parë e shtrin këtë detyrim te institucionet e arsimit të lartë. Sipas ligjit, të publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare, vaksinimi është i detyrueshëm për fëmijët nga 0-18 vjeç, sipas kalendarit përkatës të vaksinimit, për personat që rrezikohen dhe përbëjnë rrezik për të tjerët, për të penguar përhapjen e sëmundjeve infektive, si dhe për personelin shëndetësor, personelin që kujdeset për fëmijë, persona të moshuar apo persona me aftësi të kufizuara.

Po ashtu, vaksinimi për të fituar imunitetin aktiv është i detyrueshëm edhe për studentët e shkencave mjekësore, të regjistruarit në specializime afatgjata në specialitete mjekësore, si edhe në specializime e praktika afatshkurtra në disiplinat mjekësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat