Garda mbron "21 janarin"

Shqipëria

Garda mbron "21 janarin"

Më: 28 prill 2016 Në ora: 07:37

Garda e Republikës shpëton nga dhënia e një shpërblimi që kanë kërkuar gruaja dhe i biri i një prej viktimave të 21 Janarit të 2011-ës. Është një vendim i Gjykatës Administrative, në të cilin lexohet qartë mospërmbushja e kritereve të paditësve për të përfituar shpërblimin, ndërsa është fiksuar në një vendim që nuk mban datë ky fakt, si dhe argumentimi që lidhet me arsyet pse nuk iu takon ky shpërblim. Në materialin prej katër faqesh konstatohet se në fakt verifikuesit dhe gjykuesit e çështjes janë bazuar në vendimin e Gjykatës së Apelit, në të cilin është përcaktuar fakti se për vrasjen e Faik Myrtajt është shpallur fajtor Ndrea Prendi dhe është dënuar me tri vite burg nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nëpërmjet një statusi në "Facebook" u ka kërkuar ndjesë familjeve të viktimave të 21 janarit.

Në vendimin e administratives bëhet me dije se, jo vetëm Garda i përdori armët në momentin që u godit porta e kryeministrisë. Më poshtë japim të plotë argumentimin, bashkë me kërkesë padinë si dhe vendimin e gjykatës për dëmshpërblimin e kërkuar nga Mahmude dhe Rinaldo Myrtaj për vrasjen e Faik Myrtaj dhe për humbjen e jetës së Bardhosh Myrtaj, vdekje që sipas tyre ka ardhur nga tronditja e fortë psikologjike që pësoi pas vdekjes së të atit.

Vendimi

Shpjegime (prapësime) paraprake

Nga Paditësi, Garda e Republikës dhe Ministria e Punëve të Brendshme Me palë ndërgjygjëse; Paditës Mahmude Myrtaj, Rinaldo Myrtaj, i paditur Garda e Republikës dhe Ministria e Brendshme

Objekti

1.-Detyrim i palës së paditur të paguaj në favor të paditësve shpërblimin e dëmit të plotë pasuror, biologjik, moral, ekzistencial si dhe shpenzimet e tjera të arsyeshme dhe të nevojshme për shkak të humbjes së jetës së të ndjerit Faik Myrtaj, i vrarë më 21 janar të 2011 dhe më pas të humbjes së jetës së të ndjerit Bardhosh Myrtaj, si pasojë e tronditjes së thellë psikologjike për shkak të vrasjes së të atit të tij, Faik Myrtaj. 2- Dhënien e vendimit të gjykatës me ekzekutim të përkohshëm.

E nderuara gjyqtare

Lidhur me çështjen objekt gjykimi na lejoni të shpjegojmë (prapësojmë) paraprakisht; së pari lidhur me kërkimin e parë të kërkesë-padisë; procedurat e ndjekura nga pala paditëse; dy paditësit Mahmude Myrtaj dhe Rinaldo Myrtaj, në Janar të 2014-ës i janë drejtuar gjykatës së Tiranës me të njëjtin objekt si dhe sigurimin e padisë, duke vendosur sekuestro mbi pasurinë e paluajtshme të palës së paditur Garda e Republikës dhe Ministria e Brendshme në masën e objektit të kërkesë-padisë deri në përfundimin e gjykimit dhe ekzekutimin e plotë të vendimit. Dhënien e vendimit të gjykatës me ekzekutimin të përkohshëm, vendimi nr. 3236, datë 10.03.2014 u vendos inkompetencë duke i kaluar në vijim Gjykata Administrative. 2. Paditësi Mahmude Myrtaj, Rinaldo Myrtaj i janë drejtuar Gjykatës Administrative të shkallës së parë me kërkesë padi, me objektin e cituar më lart.

Koment; Mendojmë se normalisht pala paditëse duhet të kishte ezauruar rrugën administrative, duhej të pritej të ezaurohej dhe më pas të angazhohej gjykata me zgjidhjen e kësaj çështjeje. Masat e marra nga Kryeministri i vendit për vlerësimin e dëmit të pësuar nga viktimat e 21 janarit. Kryeministri me urdhër nr. 192, dt 31.07.2014 ka urdhëruar ngritjen e grupit ndërinstitucional për vlerësimin e dëmit të pësuar nga viktimat e 21 janarit të vitit 2011.

Koment; meqë nëse KM ka nisur procedura për zgjidhjen e çështjes së dëmshpërblimit në rrugë administrative dhe nuk ka përfunduar mendojmë se pala paditës do të priste të merret një përgjigj nga KM apo Kryeministri i vendit

Garda e Republikës, misioni i saj

Garda e Republikës është strukturë me status të veçantë në Ministrinë e Rendit Publik që ka për mision ruajtjen dhe mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe rezidencave, të përcaktuara në këtë ligj. Ajo varet nga ministri i Rendit publik, sot Ministri i Brendshëm. Misioni dhe statusi i Gardës së Republikës nuk ndryshojnë në gjendje të jashtëzakonshme dhe në gjendje lufte.

Vendimi i Gjykatës së Apelit

...ka vendosur deklarimin fajtor të të pandehurit Ndrea Prendi për kryerjen e veprës penale të vrasjes nga pakujdesia me pasojë vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj dhe dënimin e tij me 3 vite burg. Gjykata ndër të tjera në këtë vendim citon; sulmi i protestuesve ka qenë i ashpër dhe efektivët e Gardës legjitimoheshin në përdorimin e armëve të zjarrit bazuar në dispozitat ligjore përkatëse. Nga qitja me atë numër të madh fishekësh të kalibrave të ndryshëm mund të shkaktohej dëm, (siç edhe u shkaktua) ndaj disa personave. Mendojmë se Garda e Republikës nuk mund të përgjigjet për këtë dëm pasi nëse efektivët e Policisë së Shtetit (më të shumtë në numër dhe më mirë pajisur) do të kryenin detyrën me datë 21 janar 2011, duke shpërndarë turmën e protestuesve me mjete që kanë pasur dhe kanë në dispozicion, atëherë sigurisht nuk do të kishte qenë e nevojshme që Garda të përdorte armët e zjarrit dhe si pasojë e këtij përdorimi të vinin viktimat. Në asnjë rast nuk duhet të harrohet tensioni, stresi, goditje që kanë qenë të vazhdueshme ashtu siç edhe citohet në fq 7.8.14.18 të vendimit të Apelit. Dhe përgjegjës për këtë situatë, po aq sa Garda është edhe Policia e Shtetit pasi paaftësia për menaxhimin e demonstruesve solli viktimat. Policia e Shtetit i përdori të gjitha mjetet që kishte në dispozicion që nga shkopinjtë e gomës, gazin lotsjellës, makinën shihedhëse, forcën fizike dhe fatkeqësisht asnjëra prej tyre nuk dha rezultat dhe bazuar në ligjin e saj, Garda u detyrua të përdorte armët e zjarrit pas shpërthimit të portës hyrëse!”.

Përfundimi

Kështu në vendim saktësohet se “Garda kërkon rrëzimin e padisë, duke kujtuar se, në korrik të 2014- s, kryeministri Rama ka urdhëruar ngritjen e një grupi për vlerësimin e dëmit dhe, për sa kohë ka nisur një proces i tillë, paditësit duhet të prisnin një përgjigje”. Më tej, Garda e Republikës kërkon që të rrëzohet kërkesa, duke iu referuar edhe precedentit të 2001-shit në Genova të Italisë, kur një protestues u vra nga policia gjatë takimit të G8-s, rast mjaft i njohur ndërkombëtar ky: “Momenti i parë që del nga ky gjykim është ai, që familjarët e viktimës i adresohen shtetit italian për pagimin e dëmeve, dhe jo Karabinierisë apo Policisë së Shtetit italian”. Garda argumenton se duke iu referuar edhe dosjes “Gërdeci”, pasi sipas këtij institucioni, nga praktika e deritanishme është operuar me vendime të Këshillit të Ministrave për dhënie ndihme, ky kërkim është i pabazuar dhe në rast se gjykata e pranon padinë, vendimi nuk mund të ekzekutohet, pasi Garda dhe Ministria e Brendshme e kanë miratuar buxhetin për 2016-n dhe ai nuk mund të ndryshohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat