Basha nis “reformën” në PD, ja kush “përjashtohet”

Shqipëria

Basha nis “reformën” në PD, ja kush “përjashtohet”

Më: 27 prill 2016 Në ora: 22:26

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka caktuar drejtuesit e Grupeve të Punës në 12 qarqe të vendit. Një vit larg zgjedhjeve parlamentare, lideri demokrat ka zgjedhur t’i besojë motorët e fushatës së selisë blu disa prej figurave të vjetra në PD, duke u bazuar te ish ministrat e Berishës.

Shqiptarja.com shkruan se ndryshe nga sa pritej, fushatën elektorale të Partisë Demokratike në qarqe do ta drejtojnë ish ministra si Genc Ruli, Genc Pollo, Ridvan Bode, Aldo Bumçi, Flamur Noka, Eduard Halimi, Arben Imami etj.

Ajo që bie në sy është lënia jashtë e Jozefina Topallit dhe Astrit Patozit. Për të dy këto figura të rëndësishme në PD, ky mund të jetë edhe një “përjashtim i butë” nga radhët e demokratëve, ndonëse është ende shpejt për të bërë llogaritë e listave të kandidatëve.

Në një takim të zhvilluar dy ditë më parë me strukturat drejtuese në PD, Basha ka diskutuar për grupet e punës të PD në çdo qark, dhe fillimin e menjëhershëm të veprimeve organizative në degë.

Do të jetë mbledhja e kryesisë nesër që do të vendosë përfundimisht për emrat e PD të cilët do të kryesojnë fushatat në bazë qarqesh.

Megjithatë, sipas burimeve pranë PD, në qarkun e Tiranë, grupi i punës do të drejtohet nga kryetari i grupit parlamentar dhe njëherazi nënkryetar i PD, Edi Paloka.

Në Korçë shkon Genc Ruli, i cili pas rezultatit të dobët në dy zgjedhje radhazi largohet përfundimisht nga Gjirokastra, për t’i lënë terren Tritan Shehut.

Edhe Genc Pollo largohet nga drejtimi i fushatës elektorale në Berat, duke kaluar në Fier.

Në Berat shkon ish ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili në 2013-ën ishte në Korccë dhe në 2015-ën në Elbasan.

Ndryshime ka edhe në qarkun e Vlorës, ku largohet Arben Ristani për tu rikthyer Arben Imami. Ish ministri i Mbrojtjes në dy zgjedhjet e fundit, 2013-ë dhe 2015-ë, ka udhëhequr fushatat e PD përkatësisht në Elbasan dhe Shkodër.

Fushata e PD-së në Durrës i besohet ish ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, i cili është zgjedhur deputet në këtë qark në dy legjislaturat e fundit. Nga ky qark largohet Edmond Spaho, i cili për parlamentaret e 2017-ës do të jetë në qarkun e Elbasanit.

Aldo Bumçi do të kryesojë sërish fushatën e Lezhës dhe Flamur Noka atë të Kukësit.

Surprizë mund të cilësohet kalimi i Arben Ristanit në krye të Grupit të Punës në qarkun e Shkodrës dhe Gent Strazimirit në atë të Dibrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat