Kerry në Tiranë; tre orë, tre mesazhet

Shqipëria

Kerry në Tiranë; tre orë, tre mesazhet

Më: 14 shkurt 2016 Në ora: 09:40

Rreth orës 09:45 të ditës së sotme, avioni i Sekretarit të Shtetit, John Kerry ulet në Aeroportin e Rinasit për të nisur zyrtarisht një seri takimesh të vrullshme me aktorët kryesorë të politikës shqiptare, që do të përmbyllet në rreth tri orë.

Kryediplomati amerikan do të pritet në aeroport nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Rreth orës 10:00 do të ketë një takim me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.

Një orë më vonë, Kerry do të takohet me kryeministrin Edi Rama në Selinë e Qeverisë dhe fill pas këtij takimi është rezervuar edhe një konferencë për shtyp.

Rreth orës 11:45, Sekretari i Shtetit do të takohet me shefin e opozitës, Lulzim Basha, takim ky që përmbyll takimet me politikën shqiptare.

Zyrtarisht, shefi i diplomacisë amerikane vjen në Tiranë për të shënuar 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe megjithëse nuk do të qëndrojë gjatë, koha do të jetë e mjaftueshme për të dhënë tri mesazhe të rëndësishme.

Si në çdo festë, një falenderim nuk ka për të munguar nga aleati më i madh strategjik i Shqipërisë, i cili, si në rastin e ujgurëve, i është gjendur amerikanëve për të zgjidhur edhe një tjetër problem delikat të saj, strehimin e anëtarëve të opozitës iraniane, që gjenden nën mbrojtjen amerikane në kampin “Liria”, në Irak.

Çështja e muxhahedinëve iranianë është pika e parë e axhendës së sekretarit amerikan të Shtetit dhe mësohet se ai do të falenderojë qeveritë e Shqipërisë që, në të kaluarën dhe tani, kanë marrë përsipër të strehojnë anëtarët e opozitës iraniane.

Disa vjet më parë, qeveria e kryeministrit Berisha mori përsipër të strehojë mbi 200 muxhahedinë, ndërsa tani qeveria e kryeministrit Rama ka rënë dakord të marrë përsipër strehimin edhe të 1 mijë iranianëve të tjerë, nga rreth 2.800 që janë aktualisht në kampin “Liria” në Irak.

Kjo është një çështje që ka marrë paraprakisht edhe dakordësinë e opozitës në Shqipëri. Dhe jo rastësisht, në axhendën e takimeve të sekretarit amerikan të Shtetit, të paktën deri tani, janë përfshirë vetëm dy persona, kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha.

Por këta dy persona janë gjithashtu edhe dy personat më të lartë politikë në vend, ndaj me ta, John Kerry ka në axhendë të diskutojë edhe rëndësinë e reformës në drjetësi. Kjo është pika e dytë e rëndësishme e axhendës së Kerryt në Tiranë.

Burime diplomatike dhe politike konfirmuan për Top Channel se kjo pjesë e mesazheve që prek drejtpërsëdrejti politikën e brendshme në Tiranë është e detajuar dhe e mirëmenduar për mënyrën sesi do të artikulohen mesazhet.

Por Kerry ka edhe një pikë të tretë shumë të rëndësishme. Kosova do të jetë një nga temat që ai do të diskutojë me kryeministrin Edi Rama, duke i kërkuar një rol më aktiv të Shqipërisë, veçanërisht pas zhvillimeve shqetësuese në Kosovë, në prag të protestës së paralajmëruar të opozitës, në përvjetorin e tetë të pavarësisë dhe të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat