Veliaj: Komplekse sportive në shkolla e universitete, fillimi i një kapitulli të ri

Shqipëria

Veliaj: Komplekse sportive në shkolla e universitete, fillimi i një kapitulli të ri

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 17:31

Bashkia e Tiranës do të mbështesë ndërtimin e hapësirave sportive për institucionet arsimore publike dhe private. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka marrë sot pjesë në inaugurimin e kompleksit sportiv të universitetit “Marin Barleti”.

Veliaj tha se statistikat flasin për situatën jo të mirë kur është fjala për raportin mes shëndetit dhe sportit në qytetin e Tiranës. “Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ne jemi sot një nga qytetet më obeze në Europë. Në fakt, 20% e fëmijëve të moshës 0-5 vjeç, janë zyrtarisht obezë. Tirana është qyteti i tretë në Europë kur vjen puna te shëndeti dhe obeziteti i fëmijëve. Kjo nuk është një lloj kupe që ne dëshirojmë”, tha Veliaj.

Duke iu referuar këtyre statistikave, kryebashkiaku theksoi se një qytetar i Tiranës jeton 2 vjet më pak se i njëjti qytetar në një shtet tjetër të BE-së, ose në një qytet tjetër të Shqipërisë vetëm për çështje të ndotjes, vetëm për çështje të trafikut dhe të përdorimit të tejskajshëm të makinave. “Nuk mjafton emancipimi atëherë kur këto statistika dhe këto kambana alarmi na detyrojnë të gjithëve që ta shikojmë sportin jo vetëm si një mënyrë për këta që janë të angazhuar në ekipe, por edhe si një stil jetese për ne të tjerët që ndoshta nuk jemi pjesë e një ekipi profesionistësh, por që duam të kemi një jetë të shëndetshme”, theksoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se duhet që të ndryshojë stili i jetesës dhe jo detyrimisht numri i makinave. “Ne u anëtarësuam si qytet në rrjetin e metropoleve të Evropës dhe të gjithë qytetet e tjera me popullatë sa Tirana, kishin pak më shumë makina, por i përdornin më mirë. Këto qytete i përdornin vetëm për punë dhe jo për 500 metra nga kafja në kafe, jo për të shkuar për të blerë bukën me makinë, jo për të shkuar për të takuar një shok dy rrugica më poshtë me makinë”, u shpreh Veliaj.

Sipas kryebashkiakut, mënyra për të ecur përpara është mbështetja e ngritjes së komplekseve të tilla dhe një stil i shëndetshëm jetese. “Po mbush vitin si kryetar bashkie dhe nuk kam dhënë asnjë leje ndërtimi. Ama kur vjen puna për të dhënë leje për struktura të tilla që ofrojnë një hapësirë jo vetëm për universitetin, por edhe për shkollën, atëherë sigurisht që do të jemi të pakursyer në leje dhe në trajtimin e hapësirave të tilla. Ky është fillimi i një kapitulli të ri se si universitetet tona e kanë sportin jo si garniturë, por në fakt gjënë kryesore me të cilën ato ushqehen”, përfundoi Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat