"Stabiliteti dhe integrimi i Maqedonisë, jetike për të ardhmen e rajonit"

Shqipëria

"Stabiliteti dhe integrimi i Maqedonisë, jetike për të ardhmen e rajonit"

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 15:34

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti në një takim nënkryetarin e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Izet Mexhiti. Zhvillimet më të fundit politike në Maqedoni dhe rëndësia që ka zgjidhja dhe kapërcimi i krizës politike në vendin fqinj ishin pikat e bisedimeve. Meta vuri në dukje rëndësinë që Shqipëria i kushton marrëdhënieve në të gjitha fushat me Maqedoninë dhe mbështetjen e vazhdueshme për integrimin e saj Euro-Atlantik.

“Stabiliteti, prosperiteti dhe integrimi i Maqedonisë janë jetike për Shqipërinë dhe të ardhmen e përbashkët të gjithë rajonit tonë”, - tha Kryetari i Kuvendit.

Ai theksoi gjithashtu se është me rëndësi që të respektohet marrëveshja e “Perzhinos” e arritur mes forcave politike dhe me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar. Duhet gjetur rrugë për kalimin e krizës politike dhe realizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit theksoi edhe rëndësinë që ka për Maqedoninë monitorimi sa më i gjerë i këtyre zgjedhjeve nga organizatat e specializuara ndërkombëtare dhe vendase.

Ndërsa Mexhiti në fjalën e tij, falënderoi Metën për vëmendjen e përhershme që ai i kushton situatës në Maqedoni dhe bashkëpunimit mes faktorëve politikë shqiptarë.

Ai theksoi se marrëdhëniet e tij pa paragjykime me të gjitha palët janë një kontribut dhe mesazh i veçantë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat