Fieri, Korça e Elbasan zgjedhin kandidatët e Kongresit PS, Rama vëzhgon procesin

Shqipëria

Fieri, Korça e Elbasan zgjedhin kandidatët e Kongresit PS, Rama vëzhgon procesin

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 11:23

Partia Socialiste ka nisur procesin e zgjedhjes së delegatëve që do të marrin pjesë në Kongresin që do të mbahet më 19 mars. Sekretari Organizativ Blendi Klosi tha se sot votohet në qarqet Elbasan, Berat, Fier, Korçë, ku do të zgjidhen 330 delegatë sipas parimit një anëtar një votë.

Klosi tha se anëtarët e propozuar kanë vlera morale dhe shoqërore dhe pastërti ligjore të figurës së tyre.

Mbi 34 mijë anëtarë janë thirrur për votim në këto 4 qarqe.

Ora 10:59: Rama në Fier ndjek votimin, do shkojë dhe në Elbasan

Kryeministri Edi Rama do të ndjekë nga afër procesin e votimit të delegatëve për kongresin e Partisë Socialiste që do të mbahet në mars. Nga Fieri Rama tha se votohen delegatët që nuk kanë ardhur sot në PS. “Këta njerëz janë të aftë të ngrenë PS Fier në nivele më të larta. T’i japim fund organizatave të përqendruar në një dorë familje, fis apo pallat” Pritet që Rama të shkojë dhe në Elbasan, ku procesi I votimit do të ndiqet dhe nga deputeti Ben Blushi

Ora 08:00 Zgjidhen delegatet e Kongresit nga Berati, Fieri Korça, Elbasani

Sekretari Organizativ i PS, Blendi Klosi përmes një deklarate nga selia e partisë informoi se votimi do të jenë me parimin një anëtar një vote.

Blendi Klosi: “ Sipas Statutit të Partisë, Delegatët e Kongresit zgjidhen sipas parimit “Një anëtar – një votë”. Në bazë të vendimit të Asamblesë Kombëtare të Partisë, të muajit korrik të vitit të kaluar, është përcaktuar që të zgjidhet një delegat për 100 anëtarë partie. Delegatë të Kongresit do të zgjidhen edhe nga strukturat e Partisë Socialiste në emigracion”

“Në zgjedhjet e ditës së sotme konkurojnë afro 1000 kandidatë për delegatë të Kongresit të propozuar nga anëtarësia e partisë e 23 bashkive në përbërje të të cilave janë 151 njësi administrative. Sipas kritereve të përcaktuara 50 përqind e kandidaturave janë shoqe dhe një e treta e tyre janë të moshës 18 – 25 vjeç.

Qendrat e Votimit janë të ngritura në secilën nga 151 njësitë administrative të qarqeve të përfshira në votimin e sotëm për zgjedhjen e delegatëve.

PS sipas qarqeve (shifra te deklaruara nga kjo parti

Qarku Berat 5 mijë anëtarë do të zgjedhin 49 delegatë
Qarku Elbasan 8 mijë e 800 anëtarë do të zgjedhin 87 delegatë
Qarku Fier 12 mijë anëtarë do të zgjedhin 118 delegatë
Qarku Korçë 8300 anëtarë do të zgjedhin 82 delegatë

Sipas PS deri më 31 dhjetor anëtarësia e partisë në këto qarqe është rritur konkretisht: Berati e Elbasani kanë një anëtarësi 12 përqind më të madhe nga fillimi i procesit të zgjedhjeve, Korça 19 përqind dhe Fieri 32 përqind. “Një numër i madh anëtarësimesh janë bërë gjatë muajve janar e shkurt të këtij viti,” tha Klosi

Sot dhe në dy fundjavat e tjera të muajit shkurt, anëtarësia e partisë do të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të organit më të lartë të partisë, të Kongresit.
Kandidatët e propozuar janë me arsim të lartë dhe mjaft prej tyre edhe me kualifikime pasuniversitare etj.

Sekretari Organizativ i PS mbylli deklaratën e tij duke thënë se po punohet për arritjen e objektivit të përcaktuar që në 25 vjetorin e partisë anëtarësia e PS të jetë 150 mijë anëtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat