Vizita e Xhon Kerrit, blindohet Tirana për 9 orë

Shqipëria

Vizita e Xhon Kerrit, blindohet Tirana për 9 orë

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 08:08

Ai është i pesti zyrtar i lartë amerikan që mbërrin në vendin tonë. vjen në kuadër të një përvjetori marrëdhënieje mes Amerikës dhe Shqipërisë, ndërsa mbërritja e tij në vendin tonë, sigurisht që ndër të tjera do të ketë edhe një plan masash sigurie të nivelit më të lartë. Bëhet fjalë për një siguri të atij niveli si në vizitën e ish-presidentit Bush, ndonëse qëndrimi i Xhon Kerri-t në Tiranë do të zgjasë jo më shumë se tri orë. Të dhënat e para policore flasin për një plan masash të detajuara në të gjitha aspektet, ku në plan të parë do të jetë bllokimi i rrugëve dhe moslejimi në disa rrugë i lëvizjes as të këmbësorëve jo më të mjeteve. Burimet tregojnë se janë një sërë rrugësh që do t`iu nënshtrohen kontrolleve të rrepta, ndërsa të gjitha strukturat e posaçme të sigurisë do të jenë në gatishmëri. Vizita e Sekretarit të Shtetit Amerikan, e pesta e këtij rangu në Shqipëri, ka angazhuar një sërë komponentësh të cilët kanë nisur punën që tri ditë më parë, atëherë kur edhe hidhen bazat e një sigurie për vizita të një niveli kaq të lartë.

Detaje sigurie

Sipas të dhënave policore bëhet me dije se prej disa ditësh objekte dhe persona të dyshimtë janë marrë në mbikëqyrje të veçantë. Mbikëqyrja do të vazhdojë deri pas ikjes së Sekretarit Amerikan, ndërsa rrugët dytësore që lidhin qafën e Kasharit me Tiranën do të jenë edhe beteja e shoqërimit të zyrtarë të lartë të Botës. Nga toka dhe ajri siguria do të ketë parësore eliminimin e gjithçkaje të dyshimtë që mund të afrohet në rrugët që janë përcaktuar për lëvizjen e Kerrit, ndërsa bëhet me dije se në të gjitha ndërtesat e larta që nga Lapraka e deri në afërsi të Korpusit Universitar do të vendosen snajperat që do të jenë në gatishmëri për gjithçka. Po ashtu policia do të mbajë nën kontroll rrugët dytësore, ndërsa për tri orët e qëndrimit të Kerrit në Tiranë, mësohet se do të ketë ndërhyrje edhe në valët e kompanive celulare. SHISH dhe skuadrat e posaçme policore do të jenë në terren për gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij, ndërsa kuptohet, si në të gjitha rastet e mëparshme të vizitave të pararendësve të Kerrit, një element i fortë sigurie janë edhe eskortat personale që kryejnë shoqërimet e tyre.

Rrugët që bllokohen

Ndonëse qëndrimi i Kerrit në vendin tonë do të zgjasë vetëm 3 orë, masat do të zgjasin plot 9 orë, ku Tirana do të jetë nën “thundrën” e policisë. Burimet bëjnë me dije se janë përcaktuar rrugët që do të bllokohen, ku mësohet se do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në të gjitha rrugëkalimet që të çojnë drejt sheshit “Nënë Tereza”, bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshit “Skënderbej”. Gjithashtu edhe parkimi i automjeteve do të jetë i ndaluar në akset rrugore, ku është përcaktuar të lëvizë eskorta e sekretarit Kerri. Kështu bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, “Rruga e Durrësit” nga mbikalimi i Kamzës - sheshi Shqiponja - sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Zogu I”, bulevardi “Gjergj Fishta”, bulevardi “Zhan D’Ark”, rruga e “Elbasanit”, e “Kavajës”, “Abdyl Frashëri”, “Sulejman Delvina”, “Muhamet Gjollesha” dhe “Ibrahim Rrugova” nga sheshi Frederik Shopen- Gjykata e Lartë-Banka e Shqipërisë e deri te rruga e “Durrësit".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat