Çamët kërkojnë drejtësi në Hagë

Shqipëria

Çamët kërkojnë drejtësi në Hagë

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 07:16

Prokuroria e Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, sot e pranoi Dosjen e Çamërisë, për rikthimin e Çamëve në trojet e tyre. Është një ditë e mbarë, dhe një çast historik, tha kryetari i Shoqatës Demokratike “Çamëria”, me seli në Hollandë, Festim Lato. Dosjet u dorëzuan në organizmat ndërkombëtarë të drejtësisë në Hagë. Ato kanë këto përmbajtje:

-Dosja e parë është për njohjen e gjenocidit të aplikuar mbi popullsinë çame me dëshmi të të mbijetuarve.

-Dosja e dytë ka të bëjë me provën ndërkombëtare për krimet kundër njerëzimit të aplikuar nga qeveritë greke nga viti 1913 deri në 1945.

-Dosja e tretë ka të bëjë me të drejtën e riatdhesimit të popullsive të shpërngulura me forcë, dhe

-Dosja e katërt ka të bëjë me rikthimin e pronave.

Në këtë akt historik, të dorëzimit të Dosjes Çame, në tre gjuhë, Anglisht, Gjermanisht, dhe Frengjisht, dosja brenda ka gjenocidinn grek kundër shqiptarëve etnik të Çamërisë, të pranishëm në këtë akt historik, qenë patriotë të shquar çamë, si dhe shqiptar nga Presheva, Medvegja, Prishtina, Shkupi, Ohri, Tetova, Vlora, Tirana, Ulqini, Prizreni e Arta dhe Janina. Këtë akt historik të dorëzimit, dhe të pranimit nga Prokuroria ndërkombëtare e Hagës, e Uruan dhe e përqafuan, politolog, historianë, Shkrimtarë nga Çamëria, Shqipëria edhe Kosova, si dhe patriotë të kësaj nisme të madhe historike. Jam e përlotur sot nga gëzimi, u shpreh një nënë çame e ardhur nga Janina, se pas 72 vjet gjenocidi mbi çamët, po zbardhet drita e diellit shqiptarë. Edhe pse kanë kaluar mbi 70 vjet, fakti shpresëdhënës është se çamët, kanë mbështetjen e SHBA, por edhe të Perëndimit, përfshi këtu holandezët dhe gjermanët, por edhe të tjerë.

Ndërmjetësia Amerikane

Dialogu për çështjen e Çamërisë është i domosdoshëm dhe ndodh në një kontekst më të gjerë të marrëdhënieve dypalëshe greko-shqiptare, me qëllim zgjerimin e bashkëpunimit tregtar dhe diplomatik. Sipas ish diplomatve grekë dhe amerikanë, aktivitetet e përbashkëta mund të përfshijnë:

- Ngritje komisionesh të posaçme të drejtësisë që shqyrtojnë analiza ligjore në lidhje me dëmshpërblimet apo kërkesave të tjera.

- Një forum në rajon, ku mund të diskutohet nga studiues shqiptarë dhe grekë çështja e shqiptarëve në Greqi.

- Analiza historike, dhe ngritja e organeve të e pajtimit të vendosen grupe me shqetësimet reciproke,

- Publikimi i rrëfimeve individuale apo të përbashkëta të të mbijetuarve.

- Analiza e arkivave dhe teksteve shkollore.

Ligji i Luftës dhe Qëndrimi Grek

Në vitin 1987, qeveria greke e Papandreut e hoqi me dekret qeveritar ligjin e luftës të vitit 1940 me Shqipërinë. Por, kundërshtarë të tij e quajtën të pamjaftueshëm këtë akt duke thënë se një njohje e tillë duhet të vinte vetëm me vendim parlamenti ose dekret të Presidentit. 12 vjet me vonë, qeveria shqiptare i kërkoi zyrtarisht palës greke që të kthente përgjigje nëse ishte hequr ose jo ligji në fjalë. Kjo kërkesë u bë tre vjet pasi ish-Presidenti, Sali Berisha, kishte firmosur në vitin 1996 Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Por dokumenti që është në arkivat e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë e vitit 1999 tregon se, miqësia dhe bashkëpunimi janë ende nën hijen e ligjit të luftës. Qeveria shqiptare kërkon ta zhbëjë juridikisht këtë ligj, pra qe ta heqë parlamenti grek. Por ky hap do të sillte shumë pasoja, pasi me ligjin e luftës janë justifikuar shumë probleme siç është ai i çamëve, pronat dhe pasuritë e të cilëve nuk njihen nga pala greke.

Në vitet e fundit, disa diplomatë dhe një pjesë e historianëve seriozë grekë sugjerojnë se rezultati politik i një zgjidhjeje të plotë dhe të balancuar të drejtuara si paketë ndaj Shqipërisë të fillojë nga këto pika:

• Lidhjet midis dy popujve dhe të dy vendeve janë të forta dhe historike. Sot, gjërat që na lidhin janë më të rëndësishme se ajo që na ndajnë.

• Për fat të keq në historinë tonë kemi pasur momente të vështira, momente të këqija, duke shkaktuar vuajtje njerëzore dhe mjerim njerëzor. Është e trishtueshme, por ky është realiteti.

• Për ato momente as qeveria e tanishme dhe as partitë politike janë përgjegjës, brezat e sotëm nuk janë përgjegjës dhe as nuk duhet të jetë brezi i ardhshëm.

Problemi me qasjet e moderuara greke, qëndron se veç ekstremistëve të djathtë, në qeveritë e majta ekzistojnë rryma ekstremiste nacionaliste që nuk duan të ketë qasje dypalëshe për zgjidhjen e problemeve pezull midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Ndërkohë, autoritetet amerikane janë të gatshme të thërrasin shqiptarët dhe grekët, përfshi edhe zyrtarët, për dialog konstruktiv në lidhje me historinë e tyre të përbashkët, si dhe të ardhmen e tyre të përbashkët në rrugën për Europë. Siç dihet, Greqia e përdor këtë ligj për të penguar Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit drejt BE, ndaj dhe me ndihmën e Bashkimit Europian, Shqipëria dhe Greqia duhet të ulen në tryezën e bisedimeve për të vendosur shfuqizimin e ligjit të luftës mes dy vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat