Uniformat e reja, reagon qeveria: Tenderi në përputhje me ligjin

Shqipëria

Uniformat e reja, reagon qeveria: Tenderi në përputhje me ligjin

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 17:38

Qeveria reagon pas akuzave të Partisë Demokratike lidhur me tenderin e uniformave të reja të Policisë së Shtetit. Paraditen e sotme, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, akuzoi Ministrinë e Brendshme, duke u shprehur se kriteret teknike të këtij tenderi janë përcaktuar sipas profilit të kompanisë fituese, ndërkohë që mendimi i vetë policisë dhe ekspertëve nuk është marrë në konsideratë.

Në reagimin e saj në faqen “Transparenca.al”, qeveria saktëson se kriteret teknike janë hartuar nga një grup pune i posaçëm dhe në përputhje me ligjin.

Në reagim thuhet se pas shpalljes së tenderit në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, në garë për uniformat e reja të Policisë së Shtetit janë paraqitur 4 kompani ofertuese.

Fituesi është shpallur në datën 23 dhjetor 2015. Kompania fituese ishte bashkimi i operatorëve “YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN.TIC.AS & Marsi AL SHPK” dhe ka ofruar çmimin më të ulët ndër ofertuesit pjesëmarrës.

Reagimi i qeverisë

Drejtoria e Policisë së Shtetit ka ngritur një grup pune të posaçëm, i cili hartoi specifikimet teknike për uniformat e reja të policisë në bazë të VKM-së nr. 79, datë 21.01.2009 “Për miratimin e stemës, të uniformës, gradave, emblemës, flamurit dhe shenjave të policisë së shtetit”, ndryshuar me VKM-të nr. 281 datë 06.04.2011 dhe nr. 853 datë 21.10.2015, si dhe Urdhrit nr. 510 datë 13.10.2015 “Për disa shtesa në Urdhrin e Ministrit të Punëve të Brendshme nr. 380 datë 30.12.2014 “Për miratimin e uniformës së veçanta, normës së kompletimit të punonjësve në strukturat e Policisë së Shtetit.

Grupi i punës, i ngarkuar për hartimin e specifikimeve teknike, hartoi gjithashtu modelin dhe cilësinë e materialit të uniformës. Ndërkohë që Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara administron fletë-analizat e Laboratorit Fiziko-Mekaniko-Kimik pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, si dhe mostrat dhe modelet për materialet të cilat ishin në përputhje me specifikimet e caktuara nga grupi i punës.

Në lidhje me akuzat për zhvillimin e një tenderi pa transparencë sqarojmë se, më datë 06.11.2015, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes VKM-së nr. 28, datë 14.01.2015, u ngarkua të kryejë prokurimet për uniformat e reja. Po në këtë datë u publikua në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, shpallja e tenderit për “Uniformat e Shërbimeve të Veçanta të Policisë së Shtetit”.

Në garën për uniformat e reja të Policisë së Shtetit, e cila u mbyll në datën 01.12.2015, u paraqitën 4 ofertues:

GJERGJEFI - me ofertë 111.418.250 lekë;
2. DSE & Alfredo Grassi SPA - pa ofertë;
3. Bashkimi i operatorëve “YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN.TIC.AS” & Marsi AL SHPK - me ofertë 91 917 500 lekë;
4. PAERA SHPK - pa ofertë.

Fituesi i shpallur në datën 23.12.2015, ishte bashkimi i operatorëve “YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN.TIC.AS & Marsi AL SHPK”, me çmimin më të ulët ndër ofertuesit. Kompania fituese u shpall pa shkelur asnjë procedurë, menjëherë pas vlerësimit të ofertave dhe pa pasur asnjë ankesë nga firmat pjesëmarrëse në tender.

Të gjitha faktet më sipër vërtetojnë se gara ishte e hapur dhe nuk ishte e paracaktuar, ndërkohë që kriteret përveçse u hartuan konform bazës ligjore, ishin të hapura për të gjitha kompanitë dhe për publikun.

Bashkangjitur gjendet shpallja e tenderit për “Uniformat e Shërbimeve të Veçanta të Policisë së Shtetit” në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat