Rama: Partneriteti me privatin, cilësi maksimale shërbimi në funksion të shëndetësisë falas

Shqipëria

Rama: Partneriteti me privatin, cilësi maksimale shërbimi në funksion të shëndetësisë falas

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 14:44

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka zhvilluar sot një vizitë në një prej laboratorëve që ndodhen në Tiranë, ku pa nga afër kushtet dhe procedurat e zhvillimit të analizave, si dhe u takua me stafin mjekësor që shërben aty.

Kryeministri Rama u shpreh se vetëm një partneritet me privatin, mund të sigurojë një cilësi të tillë shërbimi. “Edhe unë që e kam mbrojtur këtë partneritet publik-privat dhe këtë proces, kam qenë krejtësisht i paditur, lidhur me cilësinë e jashtëzakonshme të stafit.

Jam shumë i nderuar që kam takuar këto koordinatore të shkëlqyera. Jam i mrekulluar nga teknologjia, nga gjithë serioziteti dhe siguria e procesit dhe sigurisht se e kam ditur që garancia pas këtij suksesi është ndërthurja me dy kompani nga më të famshmet që e mbështesin këtë proces. Këtë investim mund ta bënte vetëm partneriteti me privatin. Nuk e bënte dot shteti këtë lloj investimi dhe nuk e garantonte dot shteti këtë lloj cilësie”, tha Rama.

Një rrjet prej 20 laboratorësh modern, në të gjithë Shqipërinë, të vënë në dispozicion nga Konsorciumi 3P Life Logistic, investim prej 3.2 milionë eurosh nga partneri privat, do të bëjë të mundur përgjigjet e analizave për check-up falas sipas standardeve bashkëkohore.

Pajisjet laboratorike me të cilat punohet në këta laboratorë, po ashtu edhe reagentët, janë prodhime të markave zvicerane “Roche” dhe Amerikane “Abbott”, që të dy emra - lider botërorë në fushën e laboratorëve diagnostikues. Laboratori është i Akredituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit (DPA), përmes një procesi të kryer nga specialistë të huaj, të njohur dhe me eksperiencë shumëvjeçarë ne Akreditimet e Laboratorëve në Francë dhe në Itali.

Stafi Mjekësor Laboratorik përbëhet nga 61 punonjës, mes të cilëve mjekë me eksperiencë shumëvjeçare në fushën laboratorike, me trajnime specifike të fushës, si dhe me tituj shkencorë që garantojnë saktësinë e rezultateve të analizave.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, shpjegoi se flota prej 40 automjetesh, e shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, i merr kampionët e gjakut nga 380 qendra shëndetësore në vend për t’i dërguar ato në laboratorë. “Rrjeti i laboratorëve të partnerit, ka një investim të partnerit privat prej 3,2 milionë eurosh. Janë 380 qendra shëndetësore, ku flota me 40 automjete, merr kampionët dhe i sjell në laboratorë në të gjithë vendin”.

Administratori i kompanisë, Altin Fani, shpjegoi se transporti i kampioneve të analizave kryhet duke përdorur teknologji të specializuar gjermane nga kompania “Delta T”, e specializuar dhe e pajisur edhe për transportin e organeve. Falë këtij organizimi, kthimi i përgjigjeve tek qytetarët bëhet brenda 2 javësh.

Megjithatë, krahas kësaj procedure normale për kthimin e përgjigjeve të qytetarëve, në këta laboratorë aplikohet edhe një procedurë e përshpejtuar e kthimit të përgjigjeve brenda një kohe prej 24-48 orë për rastet që konsiderohen ALERT, dhe rekomandohen nga mjeku, apo verifikohen përgjatë kryerjes së ekzaminimeve laboratorike. Për këto raste njoftohet menjëherë Qendra Shëndetësore nga janë kryer analizat, si dhe mjekët e familjes për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Gjithashtu administratori u shpreh se një vëmendje e veçantë i është kushtuar arsimimit të punonjësve, si një kusht i rëndësishëm për të qenë pjesë e stafit. “I kam vënë shumë rëndësi shkollimit të personave të punësuar. Shumica e vajzave janë të shkolluara jashtë”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat