Akuza e re e PD ndaj Tahirit: Pas tenderit të uniformave të policisë fshihet një korrupsion prej 1.1 miliardë lekësh

Shqipëria

Akuza e re e PD ndaj Tahirit: Pas tenderit të uniformave të policisë fshihet një korrupsion prej 1.1 miliardë lekësh

Nga: Gjergj Koja Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 13:45

Partia Demokratike akuzoi ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri se pas uniformës së re të Policisë së Shtetit fshihet një korrupsion prej 1.1 miliardë lekësh.

Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për mediat tha se për procesin e tenderimit nuk ka asnjë transparencë dhe asnjë informacion.

“Kriteret teknike u përcaktuan sipas profilit të fituesit të paracaktuar. Uniforma fituese u shpall nga Tahiri përpara se vendimi të botohej në fletoren zyrtare. Asnjë e dhënë kush është dizanjuesi, pse u zgjodh ai, cili komision dhe si u bë vlerësimi. Mendimi i vetë policisë, i ekspertëve nuk është marrë në konsideratë. Sipas ligjit, vetë drejtoria e Policisë duhej të kishte nisur këtë procedurë, sipas kërkesave dhe nevojave të saj.

Nuk gjendet i pasqyruar askund mendimi i specialistëve të fushës për sa i përket cilësisë së veshjes, por as për emblemën e simbolet që janë vendosur.

Vetëm Saimir Tahiri e veglat e tij e dinë se kush është personi i kontraktuar. Një aferë e pastër korruptive, ku 1.1 miliardë lekë doroviten duke i ndarë me klientin e ministrit.

Paratë e shqiptarëve trajtohen si të ishin portofoli privat i Tahirit. Ky ministër që po bën krenar shefin e tij dhe në lëmin e korrupsionit, nuk e ndjen si detyrim të respektojë ligjin dhe procedurën, as të japë llogari.

Ashtu siç nuk u përgjigj edhe mbrëmë, kur publikisht në sytë e shqiptarëve u pyet në “top story” për lidhjen e tij me Emiliano Shullazin”, tha Alibeaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat