Partia Socialiste depoziton në Kuvend nismën për ndryshimin e ligjit të mediave audiovizive. Përmes deputetit Alfred Peza, Partia Socialiste kërkon të riformulohet neni për zgjedhjen e drejtorit të Radio Televizionit Publik Shqiptar, duke theksuar që ky proces të kalojë në pesë raunde.
Në tri raundet e para, votimi për drejtorin e RTSH-së do të bëhet me votat e 3/5 të anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së. Në votimin e katërt dhe të pestë është Komiteti Drejtues i RTSH që vendos për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm me më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të tij-theksohet në këtë propozim.
Në relacionin shoqërues theksohet se edhe pse afro 3 vjet më parë u miratua ligji për mediat audiovizive janë hasur pengesa gjatë zbatimit të tij që kanë sjellë pasoja të rënda në drejtim të funksionimit të RTSH, si transmetuesi i vetëm publik në Shqipëri.
Si problem kryesor nënvizohet fakti se RTSH ka prej mëse 2 vjetësh që drejtohet nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm tij, në pamundësi të zgjedhjes së Drejtorit të ri të Përgjithshëm për shkak të moskonstiutuimit të organit rregullator.
Ndaj dhe propozohet të aplikohet e njëjta formulë e parashikuar si për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.