Meta në Presidencë, takim me Nishanin/A po teston mazhoranca qëndrimin e Presidentit për Byronë e Hetimit?

Shqipëria

Meta në Presidencë, takim me Nishanin/A po teston mazhoranca qëndrimin e Presidentit për Byronë e Hetimit?

Nga: Gjergj Koja Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 10:30

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka nisur një takim në Presidencë me Kreun e Shtetit Bujar Nishani. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se takimi mes Kreut të Shtetit dhe Kryetarit të Kuvendit është në vijim të bashkëpunimit mes Institucionit të Presidencës dhe Parlamentit.

Takimi vjen një ditë pasi Kuvendi u përfshi nga debatet në lidhje me Byronë Kombëtare të Hetimit, pas ligjit të miratuar nga Qeveria. Por opozita pretendon se variant i miratuar nga Qeveria nuk është ai i dakordësuari, ndërsa pika që ndan palët për këtë cështje është varësia e institucionit.

Në variantin e Qeverisë, kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit emërohet nga ministri i Brendshëm me pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Por opozita kërkon që Byroja s’mund të jetë nën varësinë e Ministrisë së Brendshme apo Policisë së Shtetit, duke kërkuar që ajo të jetë pjesë e Prokurorisë, si i vetmi institucion që ka të drejtën kushtetuese të hetimit në Shqipëri.

Pro variantit të miratuar nga Qeveria është shprehur edhe LSI, ndërsa opozita ka deklaruar votën kundër këtij ligji. Ngritja e Byrosë së Hetimit është një kërkesë insistuese e SHBA dhe miratimi i ligjit mund të bëhet me shumicë të thjeshtë votash, por hyrja në fuqi e tij bëhet pas dekretimit nga Presidenti i Republikës.

Megjithëse ligji nuk ka hyrë në procedurat parlamentare, duket se mazhoranca ka nisur lëvizjen e rradhës për të testuar Kreun e Shtetit nëse është i gatshëm të dekretojë një ligj të tillë, i cili kundërshtohet nga opozita.

Por cështje të tjera që mund të diskutohen në takimin mes dy drejtuesve të lartë të shtetit mund të jetë edhe reforma në drejtësi, për të cilën pritet një vlerësim përfundimtar nga Venecia apo edhe debatet dhe akuzat që kanë të bëjnë me koncensionet, dhe për të cilat Kreu i Kuvendit është shprehur se duhet më shumë transparencë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat