Rruga e Kombit me pagesë, tender i ri për dhënien me koncesion

Shqipëria

Rruga e Kombit me pagesë, tender i ri për dhënien me koncesion

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 09:09

Hapet për herë të tretë tenderi i dhënies me koncesion të mirëmbajtjes dhe shfrytëzimit të Rrugës së Kombit. Në një njoftim të shpallur në gazetën “Financial Times”, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës deklaron se ka për qëllim të japë një koncesion/PPP për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e autostradës Milot – Morinë.

Autostrada është pjesë e rrjetit të rrugëve kombëtare dhe përbën projektin më të madh inxhinierik rrugor të ndërtuar në vend.

Duke lidhur Milotin, rreth 60 km në veri lindje të Portit të Durrësit në detin Adriatik, me Morinën në kufirin e Kosovës, rruga formon seksionin qendror të autostradës Kosovë – Shqipëri, që lidh Durrësin me Prishtinën. Objektivi kryesor i këtij koncesioni/PPP për punë dhe shërbime është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj.

Koncesionari i ardhshëm do të ndërtojë, përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë autostradën në bazë të një sërë standardesh të paracaktuara të performancës gjatë koncesionit/PPP 30-vjeçar.

Koncesionari i ardhshëm do të mbledhë dhe të mbajë të ardhurat nga taksa dhe në këmbim do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe për të financuar përmirësimet e autostradës, të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeoteknike të stabilizimit.

Kriteret e shpallura në këtë njoftim për pjesëmarrësit janë: përvoja në operimin e rrugëve me pagesë; përvoja në mirëmbajtjen e autostradave dhe urave; përvoja në mirëmbajtjen dhe operimin e tuneleve; përvoja në ndërtimin e autostradave; si dhe kriteret financiare.

Kushti për sigurimin e ofertës është vendosja e një garancie në shumën prej 250 000 euro. Oferta më e mirë do të konsiderohet për subvencionimin më të ulët të kërkuar. Tenderi i hapur ndërkombëtar do të zhvillohet më 25 prill 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat