Ministeriali i NATO, Shqipëria ofron rritjen e kontributit në misionet ndërkombëtare

Shqipëria

Ministeriali i NATO, Shqipëria ofron rritjen e kontributit në misionet ndërkombëtare

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 19:50

Në ditën e dytë të punimeve të Ministerialit në Bruksel, ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s adresuan elementë të rëndësishëm, që kontribuojnë në rritjen e gatishmërisë dhe aftësisë ripërtëritëse të Aleancës. Ministrat u njohën me ecurinë e punës në zhvillimin e disa kapaciteteve kyçe si mbrojtja kibernetike, mbrojtja raketore, adaptimi institucional i NATO-s, lufta hibride, etj.

Ministrat e Mbrojtjes deklaruan kapacitetin fillestar operacional të Inteligjencës së Bashkuar, Rikonicionit dhe Survejimit (JISR) të NATO-s dhe ranë dakord për të ndjekur punën mbi aftësitë ripërtëritëse, si një kontribut për frenimin e rreziqeve dhe mbrojtjes të NATO-s.

Në fund të sesionit, disa vende prekën shkurtimisht dhe zhvillimet në Afganistan.

Ministrja Kodheli mirëpriti progresin e arritur në zhvillimin e kapaciteteve të NATO-s dhe theksoi se Shqipëria, me një buxhet të mbrojtjes në rritje, mbetet e përkushtuar në zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta dhe ato kombëtare, në harmoni me procesin e Planifikimit të Mbrojtjes të NATO-s.

Ajo shprehu mbështetjen për adresimin e disa elementëve të rëndësishëm si lufta hibride dhe “elasticiteti” i Aleancës për t’iu përshtatur ndryshimeve në ambientin e sigurisë.

Ministrja Kodheli theksoi gjithashtu gatishmërinë e vendit tonë edhe për rritjen e numrit të ushtarakëve shqiptarë në misionet ndërkombëtare. “Shqipëria është duke ndjekur me vëmendje situatën në Afganistan dhe mbetet e gatshme të rrisë kontributin me personel shtesë në misionin ‘Resolute Support’.”- u shpreh znj. Kodheli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat