Kuvend/Tahiri: Nuk mund të bëhet marrëveshje me gënjeshtarë! Paloka: I qëndrojmë variantit të dakordësuar për Byronë

Shqipëria

Kuvend/Tahiri: Nuk mund të bëhet marrëveshje me gënjeshtarë! Paloka: I qëndrojmë variantit të dakordësuar për Byronë

Nga: Gjergj Koja Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 15:31

Debatit për Byronë Kombëtare të Hetimit në sallën e Kuvendit i është bashkuar edhe ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri.

Pas replikave mes Kryeministrit Edi Rama dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha mbi cështjen e Byrosë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi se opozita është tërhequr nga marrëveshja e dakordësuar më herët me shumicën dhe ndërkombëtarët, për ngritjen e Byrosë Kombëtarë të Hetimit.

“Një gjë kuptohet nga qëndrimet e kryetarit formal të PD-së dhe atij të vërtetit, se marrëveshja dhe debate nuk bëhet me gënjeshtarë. Draftin, PD-ja e ka parë, modifikuar dhe për 10 ditë e kthyet në çështje pse nuk miratohet. Seancën e kaluar ju pyeta, ndajeni mendjen se nuk është çështje e vullnetit formal, por real për të luftuar korrupsionin. Drafti erdhi te unë me dakordësinë tuaj dhe partnerëve ndërkombëtarë, dhe u miratua në qeveri. Problemi është te Kryetari formal, që edhe kur thotë PO, nuk e mban dot fjalën. Më mirë të mos ishim dakordësuar, por të kishim një opozitë të vërtetë, që e mban fjalën kur bie dakord”, tha Tahiri.

Ai tha se askush nuk duhet të ketë merak për varësinë e Byrosë, pasi është Prokurori sipas draftit, që është në krye te veprimeve proceduriale. Sipas ministrit, është Prokurori i Përgjithshëm që jep pëlqimin me shkrim për emrin e Drejtorit të BKH, si një garanci më tepër. Tahiri tha se opozita mund t’i bashkohet vullnetit të mazhorancës për të votuar draftin, për luftën kundër korrupsionit.

Ndërkohë Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Edi Paloka theksoi se opozita i qëndron pikë për pikë deklarimeve të saj për të miratuar sa më parë ngritjen dhe funksionimin e Byrosë Kombëtare të hetimit. “Ne i qëndrojmë asaj që kemi deklaruar, për të miratuar draftin e dakordësuar mes pozitës dhe opozitës, draftin e hartuar me asistencën dhe ekspertizën të ekspertëve amerikanë”, tha Paloka, duke i qëndruar linjës së shprehur më herët zyrtarisht nga PD se drafti i miratuar në Qeveri nuk është ai i dakordësuari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat