Byroja e Hetimit, debate në Kuvend/Rama: Drafti, 100 % i dakordësuar! PD si kopësht pa drekë. Berisha: S’pranohet të jetë nën varësinë e saje Qorrit

Shqipëria

Byroja e Hetimit, debate në Kuvend/Rama: Drafti, 100 % i dakordësuar! PD si kopësht pa drekë. Berisha: S’pranohet të jetë nën varësinë e saje Qorrit

Nga: Gjergj Koja Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 13:39

Kryeministri Edi Rama akuzoi nga foltorja e Kuvendit opozitën se ka ndryshuar qëndrim në lidhje me draftin e dakordësuar me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me Byronë Kombëtare të Hetimit.

Kreu i Qeverisë mes batutash drejtuar ish-Kryeministrit Sali Berisha, por edhe deputetëve të tjerë të opozitës, tha se drafti i miratuar në mbledhjen e Qeverisë është plotësisht në përputhje me atë që është dakordësuar me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët janë investuar për realizimin e reformës në drejtësi dhe ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Jeni bërë si kopësht pa drekë, liderin e keni në shtëpi, ndërsa kryetar keni njërin që duhet ta marrësh për dore në takim me prindër. Dil këtu dhe thuaj që keni ndryshuar qëndrim në lidhje me Byronë Kombëtare të Hetimit, ose thuaj që ne mendojmë sikundër keni thënë Ju, që Byroja e Hetimit ka lidhje me realizimin e reformës në drejtësi. Keni thënë që drafti i Byrosë nuk është ai i dakordësuar, dhe ky është gabimi i madh që keni bërë. Nuk është problemi nëse keni ndryshuar mendim, por ju përpiqeni të na i hidhni fajin ne, që kemi respektuar pikë për pikë atë që kemi dakordësuar”, tha Rama duke iu drejtuar Berishës dhe deputetëve të tjerë të opozitës.

Në vijim, Kryeministri tha se është e turpshme që opozita të gënjejë duke ia hedhur fajin mazhorancës.

“Byroja Kombëtare e Hetimit mund të ngrihej edhe pa opozitën, por ne respektuam një kërkesë dhe sugjerim të partnerëve ndërkombëtarë, duke u ulur me opozitën dhe ekspertët e saj. Në negociatat e zhvilluara me partnerët ndërkombëtarë u arrit mbi një draft, bazuar edhe në sugjerimet e Gjykatës Kushtetuese. Sot vini dhe thoni jo ky nuk është drafti i dakordësuar. Ju të tjerët që në kopshtin pa drekë që nuk ju japin drekë ka mundësi mos flisni se nuk dini asgjë. Juve ndryshe ju thonë në mbledhje, ndryshe flasin me partnerët ndërkombëtarë, ndryshe flet publikisht. E keni bërë PD si kopësht pa drekë. ti e di shumë mirë se në dorë të kujt është PD. Dihet mirë se çfarë mendimi ke për administreatorin e Kopshtit. Po them një gjë që ti e thua përditë këdo që takon. Është një shpifje dhe një gënjeshtër shumë e madhe se vë në pozitë të vështirë partnerët tanë dhe mbi të gjitha krijon një konfuzion të publiku. Nuk ju kushton asgjë që ju të dilni dhe të thoni ne jemi dakordësuar më këtë draft, por tani kemi ndryshuar dhe mendojmë sic mendonte kryeministri. Kur ne e sjellim, ju thoni nuk është ky. Është 100% drafti i dakordësuar me partnerët që kanë ndihmuar për konceptin e BKH, prandaj mos insistoni në këtë. Po ju s’keni faj se tjetër ju thonë partnerëve, dhe tjetër publikut. Ne i kemi qëndruar pikë për pikë jo vetëm draftit, por edhe një kerkësë të bërë nga partnerët. Ne nuk kishim fare nevojë për ju, por ishte një kërkesë e partnerëve që ne e respektuam. Jeni një parti që liderin e keni në shtëpinë e vet dhe kryetari e keni për ta marrë për dore në takim me prindër, prandaj është krijuar ky konfuzion dhe situatë qesharake. Dhe tani përsëri doni të na akuzoni si nevojë timen për ta marrë nën kontroll byronë. Kjo është e papranueshme. Sali çohu dhe thuaj të vërtetën e Byrosë. Lëre Nexhmijen se ti ka shpjeguar aq mirë në Bllok Andi Bushati dhe mos gënje sepse do të ballafaqoj me fakte të shkruara”, tha Rama nga foltorja e Kuvendit, ndërsa hera herës replikonte me deputetët Flamur Noka dhe Jozefina Topalli, që ndërhynin nga vendi pas çdo fjalie të Kreut të Qeverisë.

Por në replikë me Kryeministrin, deputeti Berisha tha se nuk kishte folur për Byronë Kombëtare të Hetimit, pasi ishte një çështje e dakordësuar që sot në seancë plenare të mos debatohej mbi këtë çështje.

“Unë nuk fola për çështjen e BKH-së, pasi mendova se kishim një dakordësi që të mos flisnim për të, pasi negociatat vazhdojnë dhe unë se kam zakon të flas kur çështjet janë në negociim e sipër. Megjithatë kur Kryeministri flet, unë do t’i japë përgjigje. Ja ku e kam draftin e dakordësuar të Byrosë dhe kushdo që e do jam gati t’ia paraqes. Ç’ndodhi me reformën në drejtësi që ua ktheu mbrapsht Komisioni i Venecias, pasi ju paraqitët 70 ndërhyrje në Kushtetutë. Draftin e parë të Byrosë ua rrëzoi Gjykata Kushtetuese dhe nisën negociatat për draftin e dytë. Çfarë bëri ky zotëria, mori draftin e parë dhe copy paste e paraqet si një draft të dytë të dakordësuar. Por ne s’mund të pranojmë që BKH të jetë nën varësinë e Saje Qorrit, pasi unë më mirë ia jap Shullazit nën varësi sesa Saje Qorrit. Unë kam shprehur shqetësimin se BKH s’mund të jetë e pavarur nga Prokuroria e Përgjithshme. Nuk mundet që përmes draftit ti merrni kompetencat Prokurorit të Përgjithshëm, pasi Kushtetuta njeh vetëm një institucion që mund të drejtojë hetimet. Një gjë po të them, unë s’jam vendimmarrës në PD, por do të bëj çdo gjë që ky proces të mos zvarritet. Byroja e Hetimit s’mund të ketë godinën në Policinë e Shtetit, vendoseni tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, eja të përcaktojmë një formulë sesi do të përzgjedhim prokurorët dhe të vemë në punë këtë institucion brenda 2-3 muajsh”, tha Berisha duke replikuar me Kryeministrin Edi Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat