Vendimi/ Qeveria rikthen zboret: Shqiptarët do të mobilizohen në situata të jashtëzakonshme

Shqipëria

Vendimi/ Qeveria rikthen zboret: Shqiptarët do të mobilizohen në situata të jashtëzakonshme

Nga: Gjergj Koja Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 11:45

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e saj të fundit vendimin për mobilizimin e shqiptarëve në situate të jashtëzakonshme. Vendimi është paraqitur në mbledhjen e Qeverisë nga Ministria e Mbrojtjes dhe sipas tij mobilizimi ushtarak është detyrim ligjor i shtetasve për të siguruar plotësimin e njësive e të reparteve të strukturave ushtarake me personel gjatë periudhave në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme.

Forcat rezervë, të cilat thirren gjatë mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm, janë pjesë e Forcave të Armatosura, të cilat janë të gatshme për pjesëmarrje gjatë gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme, si dhe për pjesëmarrje në misione/operacione në mbështetje të paqes, jashtë vendit.

Ministria e Mbrojtjes, për kapacitetet e domosdoshme të cilat nuk disponohen nga strukturat e saj apo të Forcave të Armatosura, mund të kontraktojë ose të marrë me qira mjete transporti, mjete xheniere dhe pajisje të tjera sipas nevojave.

Angazhimi i tyre bëhet kundrejt pagesës së tarifave. Vlera e tarifave të zbatuara është ajo e përcaktuar nga vendimi përkatës i Këshillit të Ministrave për përcaktimin e tarifave për përdorim të përkohshëm nga organet shtetërore, në situatë emergjente, të çdo mjeti privat.

Sipas vendimit, Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet Qendrës së Personel-Rekrutimit, harton listën e personelit rezervë që do të thirret gjatë gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme. Lista emërore e personelit rezervë bëhet në bazë të nevojave të Forcave të Armatosura, sipas specialiteteve e funksioneve si dhe në bazë të organizimit të njësive të qeverisjes vendore.

Vendimi i plotë

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

1. Miratimin e planit të mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm të burimeve njerëzore e materiale të vendit gjatë periudhës për të cilën kërkohet vendosja e masave të jashtëzakonshme.

2. Mobilizimi ushtarak është detyrim ligjor i shtetasve për të siguruar plotësimin e njësive e të reparteve të strukturave ushtarake me personel gjatë periudhave në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme.

3. Mobilizimi kryhet në bazë të situatave të veçanta dhe nevojave të Forcave të Armatosura. Në rastet e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm, thirren shtetasit sipas përcaktimit të bërë në ligjin nr.9047, datë 10.7.2003, “Për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

4. Forcat rezervë, të cilat thirren gjatë mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm, janë pjesë e Forcave të Armatosura, të cilat janë të gatshme për pjesëmarrje gjatë gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme, si dhe për pjesëmarrje në misione/operacione në mbështetje të paqes, jashtë vendit.

5. Ministria e Mbrojtjes, për kapacitetet e domosdoshme të cilat nuk disponohen nga strukturat e saj apo të Forcave të Armatosura, mund të kontraktojë ose të marrë me qira mjete transporti, mjete xheniere dhe pajisje të tjera sipas nevojave. Angazhimi i tyre bëhet kundrejt pagesës së tarifave. Vlera e tarifave të zbatuara është ajo e përcaktuar nga vendimi përkatës i Këshillit të Ministrave për përcaktimin e tarifave për përdorim të përkohshëm nga organet shtetërore, në situatë emergjente, të çdo mjeti privat.

6. Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet Qendrës së Personel-Rekrutimit, harton listën e personelit rezervë që do të thirret gjatë gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme.

7. Lista emërore e personelit rezervë bëhet në bazë të nevojave të Forcave të Armatosura, sipas specialiteteve e funksioneve si dhe në bazë të organizimit të njësive të qeverisjes vendore.

8. Lista emërore e personelit në rezervë hartohet nga Qendra e Personel-Rekrutimit, në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, brenda muajit janar të çdo viti, e cila është jo më shumë se 25% e numrit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

9. Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet Qendrës së Personel-Rekrutimit, është përgjegjëse për mbajtjen dhe përditësimin e listës së personelit në rezervë që mund të aktivizohet gjatë gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme, në bazë të të dhënave që merr nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe njësitë e qeverisjes vendore.

10. Të gjithë ushtarakët në rezervë të Forcave të Armatosura detyrohen të raportojnë pranë Qendrës së Personel-Rekrutimit për ndryshimet e vendbanimit e të numrit të telefonit.

11. Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për transportin, është përgjegjëse për mbajtjen dhe përditësimin e listës së mjeteve e të pajisjeve që do të aktivizohen gjatë gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme.

12. Ministria e Mbrojtjes identifikon dhe liston nevojat për mjete e pajisje si dhe nënshkruan marrëveshje ose kontrata huaje me subjektet private dhe kontrata huapërdorjeje me subjektet publike pronare të tyre, ku përcaktohen detyrimet e palëve. Pronarët e mjeteve e të pajisjeve janë të detyruar të njoftojnë strukturat përkatëse në Ministrinë e Mbrojtjes për rastet e ndryshimit të pronësisë ose gatishmërisë së mjeteve e të pajisjeve të tyre.

13. Autoritetet e porteve e të aeroporteve kombëtare civile, nëpërmjet ministrisë përgjegjëse për transportin, deklarojnë në janar dhe në korrik të çdo viti kapacitetet e infrastrukturës së tyre në Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe krijojnë të gjitha hapësirat e lehtësirat e nevojshme për trupat e huaja (personelin e pajisjet e tyre) të cilat vijnë në kuadrin e ndihmave për përballimin e gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme.

14. Autoritetet e porteve e të aeroporteve kombëtare, si dhe institucionet e tjera që shërbejnë si kapacitete kombëtare caktojnë pikat e kontaktit (personelin koordinator), të cilat ia raportojnë Ministrisë së Mbrojtjes për përballimin e gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme.

15. Qendra e Personel-Rekrutimit, prefektët dhe njësitë e qeverisjes vendore marrin masa për njoftimin e shtetasve dhe zbatimin e shpejtë të planit të mobilizimit.

16. Organet e njësive të qeverisjes vendore dhe Policia e Shtetit, për rastet e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm, sigurojnë paraqitjen e shtetasve që thirren në bazë të listës emërore të personelit, të dërguar nga Qendra e Personel - Rekrutimit.

17. Trajtimi financiar, material apo me kompensime të tjera të shtetasve që thirren për rastet e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm do të jetë në përputhje me aktet ligjore e nënligjore të trajtimit të ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura.

18. Trajnimi i personelit rezervist për kryerjen e misioneve e të detyrave bëhet në bazë të strukturave në të cilat do të angazhohen, mbi bazë vjetore dhe sipas fondeve të caktuara për Ministrinë e Mbrojtjes, në përputhje me kërkesat e ligjit nr.9047, datë 10.7.2003, “Për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

19. Institucionet shëndetësore, private dhe publike, me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes, mbajnë shtretër të lirë për trajtim mjekësor të personelit ushtarak pjesëmarrës në përballimin e gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme. Numri i shtretërve përcaktohet me marrëveshje mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Tarifat e rimbursimit për institucionet private caktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Shëndetësisë dhe ministrit të Mbrojtjes.

Rimbursimi i trajtimit mjekësor pranë institucioneve shëndetësore private të personelit ushtarak, pjesëmarrës në përballimin e gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme, përballohet rast pas rasti nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

20. Forcat e Armatosura krijojnë rezerva materiale për nevojat e veta dhe për mbështetjen e forcave rezerviste të cilat thirren gjatë mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm.

21. Në rastet e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm Ministria e Mbrojtjes i kërkon ministrit përgjegjës për rezervat materiale të shtetit informacion për gjendjen e rezervave materiale të shtetit dhe lëvrimin e tyre, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat material të shtetit”.

22. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat