Koçi: Procesi zgjedhor në PS duhet të ishte bërë pas zgjedhjeve parlamentare

Shqipëria

Koçi: Procesi zgjedhor në PS duhet të ishte bërë pas zgjedhjeve parlamentare

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 09:30

I njohur si një nga njerëzit që kur ka ngritur zërin për statutin e PS të tjerët ose kanë heshtur ose kanë dalë kundër tij, Petro Koçi jep sot gati 9 vite pas largimit nga kjo parti një opinion për debatin më të fundit në PS. I ftuar në studion e Ora News Koçi thotë se procesi i zgjedhjes në PS duhet të ishte kryer me kohë, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare nga ku Partia e Edi Ramës doli e fituar.

Petro Koçi: Sigurisht, nëse pas zgjedhjeve mendoj se duhet të ishte bërë ai procesi zgjedhor, nuk do të vinim fare në një diskutim të tillë. Mendoj se duhet të ishte kapërcyar kjo situatë atëhere. Kurse tani jemi në prag të kongresit dhe kongresi është institucioni kryesor vendimarrës.

Të gjithë, sipas ish-deputetit dhe ish ministrit socialist, janë bashkëfajtorë pikërisht për faktin që nuk kërkuan respektimin e statutit deri tani dhe ku të gjitha forumet janë tashmë pa mandat. Koçi rikujton mekanizmin e thirrjes së asamblesë me 1/3 e anëtarësisë, mekanizëm që u përdor në KPD-në e famshme ku u bënë edhe përjashtime.

Petro Koçi:
Në PS ka një instrument statutor, sipas të cilit 1/3 e çdo structure mund të verë në lëvizje ato struktura për të rivendosur gjërat apo për të marrë vendime. Kjo ska ndodhur ndonjëherë dhe pavarësisht zërave individualë që tashmë janë duke folur në prag të kongresit dhe jo shumë kohë përpara, ndoshta dhe ky është një moment jo shumë për tu duartrokitur. Ky lloj institucioni nuk është angazhuar ndonjëherë.

Por a ka të drejtë ben Blushi sot kur kërkon respektimin e statutit për të hapur garën për zgjedhjen me parimin Një anëtar një votë? Vetë Koçi e ka kundërshtuar dikur këtë parim ndërsa sot thotë se mënyra se si bëhet ky debat ku kritikohet edhe puna e qeverisë e kompromenton atë dhe për rrjedhojë edhe debatin që Blushi bën.

Petro Koçi: Diskutimi për statutin, kur shoqërohet edhe me një kriticizëm të nivelit opozitar ndaj qeverisjes apo edhe me platforma për tu zgjedhur në krye të partisë kjo mund ta konpromentojë pak diskutimin.

Koçi deklaroi largimin nga PS fill pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 duke deklaruar se PS ishte shndërruar në një Parti Socialiste e marë peng nga dyshja Rama-Ruçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat