Bushati pret homologun austriak: Në pranverë mund të hapen negociatat për integrimin

Shqipëria

Bushati pret homologun austriak: Në pranverë mund të hapen negociatat për integrimin

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 20:12

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, priti sot në një takim homologun austriak Sebastian Kurz.

Gjatë konferencës së përbashkët për media, Bushati e konsideroi mbështetjen e Austrisë një shenjë inkurajuese për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë.

Ai theksoi se Shqipëria ka të gjitha shanset që në pranverë të sigurojë nga Komisioni Europian rekomandimin për hapjen e negociatave nëse ekziston vullneti politik.

“Nuk jam as optimist dhe as pesimist nga natyra, përpiqem të jem realist. Ekzistojnë të gjitha mundësitë, afatet janë të kapshme në rast se ne ecim me agjendën e reformave që kemi dakordësuar bashkërisht me shërbimet e KE dhe në bashkëveprim me institucione të rëndësishme si Komisioni i Venecias, ku gjithë aktorët janë përfshirë në reformën në Drejtësi dhe ne do kemi mundësi të bëjmë në pranverë një rishikim apo një rivlerësim jo vetëm të ecurisë së zbatimit të reformave së bashku me KE-në dhe praninë e komisionerit Han, kemi gjithë mundësinë edhe me mbështetjen e vendeve anëtare për të siguruar si hapin e parë në këtë proces një rekomandim të qartë nga ana e KE-së këtë vit. E thënën troç, të gjitha mundësitë ekzistojnë, vullneti politik duhet të demostrohet nga të gjitha kampet në funksion të një procesi që nuk ka të bëjë me partitë politike”, deklaroi Bushati.

Ministri austriak Sebastian Kurz, u shreh se reforma për drejtësi është tepër e rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në BE.

“Ne sapo kemi rënë dakord për një plan të përbashkët veprimi, për një bashkëpunim më të ngushtë midis vendeve tona dhe kam mundësinë që këtu në këmbë të sjell dhe ambasadorin e ri në Shqipëri. Ne jemi partnerë të Shqipërisë jo vetëm në marrëdhëniet bilaterale, por ne kemi natyrisht një interes të madh që vendet e Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht Shqipërinë t’i mbështesim në rrugën për në Bashkimin Europian. Gëzohem shumë që ti ke folur për reformën në drejtësi që ne e shikojmë si një projekt shumë të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Unë jam shumë i sigurt që nëse ne arrijmë që ta zbatojmë këtë reformë në këtë vit kjo do të ketë ndikime pozitive”, tha Kurz.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat