Ahmetaj: Basha shpifës, nëse vërteton akuzat, jap dorëheqjen

Shqipëria

Ahmetaj: Basha shpifës, nëse vërteton akuzat, jap dorëheqjen

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 16:57

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit e Tregtisë, Arben Ahmetaj, i është përgjigjur akuzave të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke e sfiduar, se opozita shpifë dhe nëse vërteton akuzat, jep dorëheqjen.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook pasditen e të mërkurës, minitri Ahmetaj shprehet: “Edhe njëherë për Administratorin e opozitës. Po ta përsëris sërish që nëse unë kam udhëtuar ndonjëherë me charter me biznesmenin që t’i përmend, sigurisht që unë e jap dorëheqjen. Ty s’mund të ta kërkoj të njëjtën gjë, se ty të ka dorëhequr populli me kohë”.

Në vijim, ministri Ahmetaj pohon se “Ke hyrë në një palë kepucë që të kanë lënë, por të rrinë shumë të mëdha, ndaj i mbush me broçkullat që nxjer nga goja përditë. 500 mijë, 5 milionë apo 500 milionë, që njerëzit i shohin vetëm në ëndërr, t’i i ke parë me abuzimin në Rrugën e Kombit. Je bërë si Liza në Botën e Çudirave që ndërton guackën e zezë rreth vetes, ndërkohë që shifrat dhe faktet flasin vetë, ndërsa institucionet ndërkombëtare e kanë çertifikuar trendin pozitiv të ekonomise shqiptare. Unë e kuptoj që ti e kupton drejt, që rritja ekonomike të mban larg ëndrrës tënde për pushtet, por faktet janë fakte”.

“Të kërkoj të shkosh në Prokurori dhe ta denoncosh me fakte këtë që thua, se në gjykatë sigurisht që do shkosh për shpifje!”, përfundon Ahmetaj.

Kryetari i Partisë Demokratike në mbledhjen e grupit parlamentarë të PD-së akuzoi ministrin Ahmetaj si të përfshirë në afera korruptive dhe kerkoi dorëheqjen e tij. “Me vitin 2014, sipas të dhënave të publikuara, Arben Ahmetaj ka marrë 500 mijë euro kapar dhe në dhjetor të 2015 pas daljes se VKM që i jep 8% bonus kompania Suzer, i ka dhënë 5 milionë euro të tjera. Arben Ahmetaj, i cili ka negociuar direkt dhe në mënyrë të paligjshme për këtë projekt duke udhëtuar me çarter, nuk mund të fshihet me gjoja dorëheqje, por të bëhet gati të shkojë para drejtesisë”, u shpreh Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat