Programet nxitëse të punësimit, Micko: Ja sa përfitojnë sipërmarrësit

Shqipëria

Programet nxitëse të punësimit, Micko: Ja sa përfitojnë sipërmarrësit

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 16:55

Angazhimi në punë i kapitalit njerëzor në Shqipëri po mbështetet nga programe nxitjeje të vëna në dispozicion nga qeveria, ka deklaruar kreu i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Artur Micko.

Në një intervistë për “Monitor”, kreu i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Artur Micko, ka folur për programet e ndryshme të nxitjes së punësimit, nga të cilat jo vetëm do të ndikonin në rritjen e punësimit, por kanë edhe avantazhe për vetë sipërmarrjet. Gjithashtu ,sipërmarrësit përfitojnë edhe kur trajnojnë të rinj punëkërkues.

“Në rastin e ‘Programit të nxitjes së punësimit nëpërmjet formimit në punë’, subjekti përfiton subvencionim për koston e trajnimit (kosto për person shkon nga 130 deri në 170 mijë lekë sipas llojit të profesionit ku bëhet trajnimi). Programi synon të mbështesë punëkërkuesit e papunë në marrjen e një profesioni në vendin e punës. Trajnimi në varësi të aktivitetit ku zhvillohet zgjat 2 deri në 5 muaj. Punëkërkuesi aftësohet në atë profesion dhe më pas është i gatshëm tashmë me një zanat për tregun e punës. Në këtë program të papunët përfitojnë pagesën e 50% të pagës minimale (pra 11 mijë leke) si dhe pagesën e sigurimeve shoqërore. Të gjithë subjektet në përfundim të programit duhet të zbatojnë kushtin e punësimit për 50% të personave të trajnuar duke lidhur kontratë të rregullt pune për 6 muaj. Trajnimi mund të realizohet në aktivitete të industrisë përpunuese, si prodhim këpuce, veshje, aktivitetet e ndërtimit, përpunim druri, prodhime duralumini etj”, ka theksuar Micko .

Masën e mbështetjes që i bëhet sipërmarrësve në rast punësimi të punëkërkuesve të kategorive të caktuara ka qenë një tjetër fokus i kreut të SHKP, Micko ku pohoi se “Ndërsa programet e tjera, të cilat kanë kohëzgjatje 1-vjeçare, ose ndryshe programet e subvencionimit të punësimit, të cilat zbatohen për punëkërkuesit nga grupet në vështirësi, gratë apo të rinjtë që hyjnë për herë të parë në tregun e punës, e mbështesin punëdhënësin duke paguar sigurimet shoqërore për çdo punëkërkues për një periudhë njëvjeçare dhe 4 paga minimale”.

Theksi i intervistës së kreut të SHKP Miçko u përqëndrua në një tjetër problematikë sic janë një nga programet e nxitjes së punësimit, që po i kushtohet rëndësi e veçantë është ai i punësimit të personave me aftësi të kufizuara dhe se punëdhënësit kanë përsëri përfitime nëse punësojnë nga kjo shtresë në nevojë.

“Programi i nxitjes së punësimit të personave me aftësi të kufizuara është programi më favorizues, nisur nga vetë kategoria e personave që ky program mbështet. Sipas këtij programi, subjektet punëdhënëse për çdo person me aftësi të kufizuara të punësuar, kompensohen për një vit sigurimet shoqërore, 6 paga minimale për gjashtë muajt e parë dhe 50 të pagës minimale për gjashtë muajt e dytë të punësimit. Gjithashtu punëdhënësi përfiton deri në 10 mijë lekë kompensim për akomodimin e arsyeshëm të vendit të punës. Pra kur është e nevojshme të përshtatet deri diku vendi i punës për këtë kategori personash”, ka nënvizuar Micko.

Intervista mbyllet me një detaj shpjegues ku theksohet se “Ndërkohë që punëdhënësit të përfitojnë nga këto programe të nxitjes së punësimit, ata duhet të punësojnë punëkërkues të regjistruar pranë Zyrave të Punës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat