Zaganjori: Dosja e 21 Janarit, e marrim në shqyrtim së shpejti! Reforma në drejtësi, urojmë të jetë konsensuale. 13 mijë cështje presim për gjykim

Shqipëria

Zaganjori: Dosja e 21 Janarit, e marrim në shqyrtim së shpejti! Reforma në drejtësi, urojmë të jetë konsensuale. 13 mijë cështje presim për gjykim

Nga: Gjergj Koja Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 11:58

Gjykata e Lartë do të marrë shumë shpejt në shqyrtim dosjen e 21 Janarit 2011, ku gjatë një proteste të dhunshme të opozitës u vranë 4 protestues. Në një komunikim me gazetarët, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, nuk dha ndonjë datë të saktë se kur kjo dosje do të merret në shqyrtim, por tha se ajo do të trajtohet së shpejti. Zaganjori u shpreh se relacioni i dosjes është bërë dhe është shpërndarë tek anëtarët e Kolegjit Penal të cilët kanë pasur takim lidhur me këtë çështje.

“Mendoj se çështja do trajtohet shumë shpejt. Duhet të kemi parasysh ngarkesën e madhe që ka ajo. Është shumë volumizone. Me sa jam në dijeni është bërë relacioni dhe është shpërndarë anëtarëve të Kolegjit Penal dhe kolegji ka pasur takime lidhur me këtë çështje. Më është thënë që shpejt çështja do të trajtohet. Ka dhe një specifikë që do të bëhet pa shpallje në dhomën e Këshillimit. Tani i takon gjyqtarëve kur mendojnë se ka ardhur koha të mblidhen të marrim vendimin përkatës. Relacioni është bërë dhe është shpërndarë. Jam në dijeni që shpejt do trajtohet”, tha kreu i Gjykatës së Lartë.

Ndërkohë, Zaganjori tha se numri i çështjeve që janë gjykuar që nga viti 2010 deri në 2015 janë rritur, por janë 13 mijë çështje që presin gjykim. Zaganjori kërkoi unifikim të praktikave gjyqësore në lidhje me cështjet e pensioneve, largimit nga puna dhe të pronarëve, duke shtuar se duhen vendosur rregullat bazë për zgjidhjen e këtyre konflikteve, të cilat janë një mjet efektiv për të luftuar korrupsionin.

“Nëse në 2010 janë shqyrtuar 3400 çështje, në 2011 3500 çështje, në 2012 4600, në 2013 4200, në 2014 6500 cështje, në 2015 janë shqyrtuar 7500 çështje, të ndara sipas kolegjeve. Ndryshimi që vihet re në shqyrtimin e cështjeve në vite ka një përmirësim të ndjeshëm, sepse numri i cështjeve që presin gjykim është 13 mijë çështje. Sot jemi në një situatë që në Kolegjin Penal gjykohen cështjet e vitit 2015. Në kolegjin Administrativ dhe Civil të vitit 2013. Mund të ketë ndonjë cështje të prapambetur, por ne jemi në vitin 2013”, tha ai.

Në kuadër të reformës në drejtësi, Zaganjori theksoi se kjo situatë duhet të përmirësohet ndjeshëm. Sipas kreut të Gjykatës së Lartë, drejtësia duhet të jetë efektive, e pavarur dhe transparente.

“Në të gjitha tryezat kemi theksuar nevojën e bërjes së reformës sepse ky është një detyrim në cdo vend demokratik. Pushtetit gjyqësor duhet të jetë transparent, i pavarur. Ne kemi mbështetur këtë reformë por kemi thënë që reforma duhet të jetë më gjithëpërfshirëse. Ftesave që na janë bërë ne i jemi përgjigur në cdo kohë. Në cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë unë kam ngarkuar në mënyrë permanente përfaqësues në nënkomisionet e reformës. Po marrim pjesë në draftligjin e projekligjeve. Kemi komunikuar, kemi trajtuar këtë cështje edhe në konferencën gjyqësore kombëtare. Nga ana tjetyër këshilli ekzekutiv i konferencës gjyqësore ka komunikuar me nënkomisonit për të paraqitur mendimin. Kemi pasur kontakte me Komisionin e Vencias, kemi paraqitur vërejtjet tona lidhur me reformën dhe na vjen mirë që një pjesë e mirë e këtyre vërejtjeve gjejnë pasqyrim te mendimin e parë të Komisionit të Venecias. Urojmë që të ketë një konsensus të kësaj reforme dhe dhënies jetë të kësaj reforme”, tha kreu i Gjykatës së Lartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat